75 Mall Live Search
11:49 / E Mërkurë, 28 Qershor 2023 / AR

Reagon Mbappe pasi policia e vrau një 17-vjeçar në Paris

Kylian Mbappe e ka postuar një mesazh emocional në rrjetet sociale, pas vrasjes tronditëse të një 17-vjeçari në Paris.

Ylli i Paris Saint-Geramin Mbappe e ka cilësuar si të papranueshme situatën në Francë, pasi një djalosh 17-vjeçar u qëllua për vdekje me armë zjarri në kryeqytet.

Prokuroria në Paris ka thënë se një zyrtar policor francez po hetohet për vrasje pa paramendim, pas vdekjes së adoleshentit i cili i kishte shpërfillur urdhrat për ta ndalur veturën.

Raportohet se oficeri i policisë gjuajti me armë zjarri djaloshin, emri i të cilit është Nael M, duke e lënë të vdekur nga plagët e rënda në rrethinën e Parisit, Nanterre, të martën.

Mbappe i shprehu ngushëllime familjes së adoleshentit, duke thënë se një engjëll iku shumë shpejt.

“Ndihem keq për Francën time. Situatë e papranueshme. Në mendje e kemi familjen e Naelit dhe më të dashurit e tij, ky engjëll i vogël na la shumë shpejt”, shkroi Mbappe.

Në një video të postuar në rrjetet sociale shihen dy oficerë të policisë pranë një veture, një Mercedes AMG, njëri prej të cilëve shtie me armë kur shoferi nis të largohet.

Ky incident ka shkaktuar përleshje mes të rinjve dhe policisë në Paris.