Reagon OSBE-ja pas mos certifikimit të mediave në gjuhën serbe për zgjedhjet lokale

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka shprehur zhgënjimin me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me anë të së cilit nuk certifikohen për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, mediat që operojnë në gjuhën serbe.
“Kufizimi i akreditimit të mediave në bazë të përkatësisë së perceptuar të komunitetit, gjuhës ose editoriale kufizon aftësinë e gazetarëve për të kryer detyrat e tyre profesionale. Qasja në informacion në gjuhët e komuniteteve përfaqëson një aspekt themelor të kornizës multietnike dhe demokratike të Kosovës. Sigurimi i mundësive të barabarta për të gjitha mediat është thelbësor për të ruajtur besimin e publikut në procesin zgjedhor, duke shmangur sugjerimet për praktika diskriminuese dhe duke mbështetur pjesëmarrjen e informuar nga të gjitha komunitetet”, thuhet në reagim.
OSBE-ja thotë se ky mision mbetet i përkushtuar për të promovuar dhe mbrojtur lirinë e shprehje, pluralizmin e medias dhe qasjen e barabartë në informacion për të gjitha komunitetet dhe iu bën thirrje partive politike t’u përmbahen këtyre vlerave.