14:41 / E Enjte, 22 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Reagon Pacolli pas ndërrimit të trasesë së autostradës

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj ndërrimit të trasesë së autostradës nga Ministria e Infrastrukturës, duke thënë se kjo privon qasjen e një pjesë të madhe të Gollakut në këtë rrugë.

“Ndërrimi i trasesë së autostradës privon qasjen e një pjese të madhe të Gollakut nga qasja në këtë rrugë. Në kohën e qeverisjes 2011-2014, është paraparë zgjerimi i rrugës ekzistuese në katër korsi, nga Veterniku drejt pallatit të drejtësisë, në pjesën e majtë të Liqenit, Suteskë, Slivovë, Llabjan, Bresalc, Gjilan”, është shprehur Pacolli.

Pacolli ka thënë se në kohën e qeverisjes 2011-2014 është paraparë zgjerimi i rrugës në katër korsi nga Veterniku drejt Pallatit të Drejtësisë, sipas dakordimit me kryeministrin kur është formuar qeveria, transmeton Indeksonline.

“Ndërtimi i kësaj rruge ka qenë pjesë e një dakordimi edhe me kryeministrin kur është formuar qeveria e Kosovës. Për shkak të angazhimeve të mija jashtë vendit, fatkeqësisht është devijuar traseja krejtësisht në drejtim tjetër dhe Gollaku ka mbetur i privuar nga e drejta për të pasur qasje në infrastrukturë moderne rrugore”, është shprehur tutje Pacolli.

Zëvendëskryeministri Pacolli ka deklaruar se ka shpresa në kryeministrin që ai do të ndërmarrë masa urgjente për evitimin e dëmit që po i bëhet Gollakut, por edhe buxhetit.

“Shpresoj shumë që kryeministri do të ndërmarrë masa urgjente për evitimin e këtij dëmi që po i bëhet Gollakut por edhe buxhetit të Kosovës, duke pasur parasysh se rindërtimi i rrugës, në trasenë e lartpërmendur do të kushtonte shumë më lirë se sa andaj kah është planifikuar”, ka theksuar në fund Pacolli./Indeksonline/