19:23 / E Enjte, 25 Maj 2023 / L K

Reagon për herë të parë producentja e serialit “Rrushe”

Producentja e serialit “Rrushe”, Doresa Rexha ka reaguar për herë të parë ndaj debateve të ngjallura për titrimin e serialit.

Ajo përmes rrjetit social ka thënë se titrimi është bëre për persona që nuk kanë mundësi dëgjimi.

Përveq kësaj, në publik është komentuar ndryshimi i fjalëve, ku të tillë e kanë quajtur ‘përkthim të serialit’.

Rexha bëri të ditur se në serial është përdorur ‘slang-u’ dhe jo gjuhë dialektore, prandaj edhe ka ndodhur në gjë e tillë./IndeksOnline/

Postimi i plotë:

Përshëndetje të gjithë shqiptarëve,

Si producente dhe aktore në serialin “Rrushe”, fillimisht dua ta falënderoj gjithë audiencën shqiptare kudo në botë për vlerësimin e mirë që i ka bërë e po i bën serialit “Rrushe”, prodhim i GjirafaStudios! Kjo është shumë motivuese për mua dhe për ekipin që të vazhdojmë me planifikimin për realizimin e Sezonit të Dytë të serialit.

Duke parë debatet që ka ngjallur titrimi i  serialit “Rrushe” në Top Channel, mund të them që arsyeja kryesore pse kemi vendosur të kemi titrim ka qenë ofrimi i mundësisë që serialin të mund ta përcjellin dhe ta shijojnë edhe personat që nuk mund të dëgjojnë apo personat me dëgjim të dëmtuar. Veç kësaj, ata që e kanë parë serialin, e kanë vërejtur që për hir të origjinalitetit, në serial, përveç gjuhës dialektore, përdoren edhe lokalizmat, zhargoni, “slang”-u, etj., që jo domosdo kuptohet nga të gjithë, prandaj është menduar që titrimi për transmetim në Top Channel të bëhet sa më afër gjuhës standarde, në mënyrë që çdo detaj i dialogjeve të kuptohet nga gjithë audienca shqiptare, siç është praktikë në shumë vende të botës me diversitet gjuhësor.

Unë besoj që diversiteti gjuhësor veç na pasuron më shumë si komb, nuk na ndan.

Uroj e shpresoj që së shpejti ta kemi Sezonin e Dytë të serialit “Rrushe” para publikut shqiptar, pse jo bashkëprodhim mes Kosovës dhe Shqipërisë!

Ndërsa Sezonin e Parë mund ta ndiqni çdo të martë nga ora 21:00 në Top Channel.

P.S  Ju kërkoj ndjesë gjitha mediave të cilat më kanë kontaktuar këto ditë mirëpo për shkak angazhimeve e kam pasur të pamundur të paraqitem.