Reagon Vjosa Osmani: Humbja tragjike e dy qytetarëve në Pejë ka tronditur gjithë Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas ngjarjes tragjike në Peje, ku nënë e bir kanë vdekur si pasojë e vërshimeve.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka shprehur ngushëllime për familjarët, kryetarin e Pejës e të gjithë qytetarët e kësaj komune për humbjen tragjike, duke thënë se kjo ngjarje ka tronditur gjithë Kosovën.
Postimi i plotë:
Humbja e dy qytetarëve tanë si pasojë e vërshimeve në Pejë ka tronditur gjithë Kosovën. I shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve, miqve, kryetarit të Komunës z. Gazmend Muhaxheri dhe gjithë qytetarëve të komunës së Pejës për këtë humbje të madhe e kaq tragjike.
Forca e Sigurisë së Kosovës dhe gjithë institucionet e tjera që merren me emergjenca të tilla janë në Pejë që nga mbrëmë duke ofruar ndihmën dhe përkrahjen e tyre. Në këto momente të rënda, është me rëndësi që përkrahja të vazhdojë në mënyrë që komuna e Pejës të përballojë dhe të rikuperohet nga kjo situatë e vështirë e tragjike./IndeksOnline/