75 Mall Live Search
17:11 / E Martë, 21 Prill 2026 / KV

Reagon Vjosa Osmani pas dënimit për rastin e Liridona Ademajt: Sot drejtësia foli me zë të qartë dhe të prerë

Ish presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm për vrasjen e Liridona Ademajt, duke e cilësuar vendimin si një mesazh të fuqishëm kundër dhunës ndaj grave.

Osmani tha se, megjithëse asnjë vendim nuk mund ta kthejë Liridonën në jetë, drejtësia sot riafirmoi një parim themelor.

“Sot drejtësia foli me zë të qartë dhe të prerë. Fatkeqësisht, asnjë aktgjykim nuk e kthen kohën prapa dhe nuk e kthen Liridonën në jetë. Mirëpo sot u riafirmua një parim themelor: çdo cenim i jetës së grave kërkon përgjigjen më të fortë të drejtësisë”, ka deklaruar ajo.

Sipas presidentes, ky vendim dëshmon se dhuna ndaj grave nuk mund të relativizohet dhe as të tolerohet.

Ajo theksoi se ky aktgjykim nuk duhet parë si fundi i betejës, por si një shtytje e domosdoshme që jetët e grave të mbrohen dhe çdo rast dhune të trajtohet me seriozitet dhe në kohë.

Në reagimin e saj, Osmani shprehu solidaritet me familjen e Liridonës, si dhe me familjet e të gjitha grave dhe vajzave që kanë humbur jetën si pasojë e femicidit.

“Për çdo vajzë që meriton të rritet e lirë dhe pa frikë, drejtësia do të jetë përgjigja përherë, ndërsa parandalimi, mbështetja dhe fuqizimi do të jenë angazhimi ynë i përditshëm”, përfundoi ajo.