75 Mall Live Search
12:25 / E Mërkurë, 24 Shkurt 2021 / OSH

Reagon zv/ministri i Bujqësisë për aksionin: Një ditë e bukur me diell…

Zëvendësministri në detyrë i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Enver Hoti ka komentuar zhvillimet e fundit në Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë, ku u arrestuan disa zyrtarë të saj.

Ai në një prononcim për IndeksOnlinen deklaroi se organet e drejtësisë kanë mbështetjen e plotë për të kryer hetimet e nevojshme për çka do që mund të dyshohet.

“Sot është një ditë e bukur me diell, kështu e jashtëzakonshme dhe ndaj mendimin se organet e drejtësisë e kanë mbështetjen e plotë për të kryer veprimet e duhura për gjithçka që dyshohet dhe që mund të jetë e keqpërdorur”, tha Hoti.

Ai ka thënë se në lidhje me këtë aksion dhe të gjitha veprimet e kryera gjatë ditës së sotme nga organet e rendit duhet pritur vlerësimet zyrtare.

“Të gjithë ata që përdorin dhe  keqpërdorin pozitat zyrtare duhet t’u nënshtrohen organeve të drejtësisë, presim deklarimet nga organet përkatëse dhe sistemi i drejtësisë, e mandej mund ta kemi të qartë. Mendoj se politika duhet ta mbështesë fuqishëm gjithë aktivitetin e organeve të drejtësisë”, theksoi Hoti.

Ndryshe IndeksOnline që në mëngjes ka raportuar ekskluzivisht në lidhje me këto aksione të policisë, të cilat u zhvilluan në disa qytete të Kosovës, si në Prishtinë, Gjilan, Istog dhe Lipjan./IndeksOnline