07:48 / E Martë, 16 Prill 2024 / AR

Real “blindon” Brahim Diaz, “Galaktikët” kërkojnë 60 milionë euro për “fantazistin”

Huazimi te Milan, duket të ketë qenë i duhuri. “Fantazisti” maroken, Brazhim Diaz është kthyer në një nga lojtërët më të spikatur, te “Galaktikët” e Real Madrid, këtë sezon, teksa ka qenë në disa raste tejet vendimtar me golat e tij, siç ishte edhe “perla” e shënuar në sfidën e parë, ndaj RB Leipzig, që praktikisht i dhuroi “Los Blancos”, kualifikimin në çerekfinalet e Champions League.

Mirëpo, duket se kjo formë e “fantazistit” të sulmit, nuk ka mahnitur vetëm të tijët, teksa sipas raportimeve më të fundit, të mediave spanjolle, pas 24-vjeçarit janë vënë një sërë klubesh, të cilat kërkojnë transferimin e tij, qoftë në mënyrë të përhershme apo edhe në formë huazimi, për një apo dy sezone, siç bënë edhe “Djajtë” e Milanos.

Megjithatë, drejtuesit e “Los Blancos” nuk e mendojnë aspak shitjen e tij, madje tashmë nga 20 milionë euro që e vlerësonin kartonin e tij pas mbarimit të huazimit në Itali, tashmë Brahim Diaz për klubin spanjoll vlen jo më pak se 60 milionë euro, një shifër vërtetë e lartë, që do të pranohej si ofertë vetëm në rast se lojtari kërkon të largohet, shkruan abcnews.

Ndërkaq, siç thekuam edhe pak më lart, Brahim Diaz është kthyer në një nga lojtarët kyç, në skemat e teknikut, Carlo Ancelotti, sidomos sa i përket zëvendësimeve pikante, teksa këtë sezon, “fantazisti” maroken ka zbritur në fushë plot 34 herë, ku ka shënuar 9 gola e ka asistuar 5 të tjerë.