Reali, asnjëherë s’ka mundur ta përmbyste rezultatin e ndeshjes së parë

Pas humbjes 1:2 në “Santiago Bernabeu”, Real Madridi i Zinedine Zidanes, ka nevojë për një performancë të madhe për të kaluar Manchester Cityn e Pep Guardiolas në garën elitare evropiane, e njohur si Liga e Kampionëve.
Real Madridi edhe pse krijoi epërsi 1:0 me anë të Iscos, nuk arriti të ruante rezultatin, duke u përmbysur në fund me golat e Gabriel Jesusit dhe Kevin de Bruynet, për 1:2.
Që nga fillimi i këtij formati të Ligës së Kampionëve në vitin 1992, Real Madridi ka humbur ndeshjet e para në shtëpi në pesë raste dhe asnjëherë nuk ka arritur të rikthehej, për të vazhduar më tej.
PSG-ja në 1994 (0-1), Bayern Munichi në 2001 (0-1), Arsenal në 2006 (0-1), Liverpooli në 2009 (0-1) dhe Barcelona në 2011 (0-2), janë rastet kur Real Madridi ka pësuar në ndeshjen e parë në shtëpi në Ligën e Kampionëve, pa llogaritur humbjen nga Manchester City.
Tani të gjithë sytë do të jenë në “Etihad Stadium”, më 17 mars, për të parë nëse Real Madridi do ta “prishë” këtë mallkim, për të kaluar më tej në Ligën e Kampionëve.