75 Mall Live Search
13:19 / E Hënë, 12 Tetor 2020 / C E

Reali e kthen në tavolinë çështjen e Modriqit

Real Madridi është duke u bërë gati për të biseduar me Luka Modriqin për rinovimin e kontratës së tij.

Mesfushorit kroat i përfundon kontrata me “Los Blancos”-in në qershor 2021 dhe, për momentin, nuk ka marrëveshje për të zgjatur “dashurinë” midis palëve.

Sigurisht që ekziston dëshira e madhe e lojtarit për ta mbajtur më gjatë veshur fanellën “mbretërore” me numrin 10.

Kroati po përpiqet ta bëjë të qartë publikisht se qëllimi i tij është të vazhdojë dhe meqenëse është i vetëdijshëm se po arrin fundin e karrierës së tij, do të pranonte një pagë më të ulët.

Tani, nëse klubi mendon se koha e tij ka perënduar, mesfushori nuk do ta ketë aspak problem të hiqet mënjanë dhe të thotë lamtumirë.

Do të jetë e vështirë për Real Madridin “ta heqë qafe” lojtarin, sepse niveli që kroati ka shfaqur në ndeshjet e fundit luan në favor të tij.

Luka është i vendosur të jetë në kundërshtim me kartën e tij të identitetit, që tregon 35 vjet. Ai, për momentin, mbetet element kryesor i organikës së drejtuar nga Zidane.

Në këtë kampionat ka luajtur 294 minuta nga 360 të mundshme, duke qenë mesfushori më i përdorur nga trajneri francez, madje edhe përpara Casemiros.

Duke filluar nga janari, Modriqi do të jetë i lirë të negociojë me çdo ekip tjetër. /IndeksOnline/