12:09 / E Mërkurë, 02 Nëntor 2022 / C E

Reali synon ta mbyll grupin si lider me fitore ndaj Celtic, ja formacionet e mundshme

Pavarësisht se ka siguruar kualifikimin tutje, Real Madridi do të synojë me çdo kusht fitoren sot kundër Celticut, në mënyrë që të kualifikohet si lider nga faza e grupeve e Ligës së Kampionëve.

Me fillim nga ora 18:45, stadiumi “Santiago Bernabeu” do të jetë nikoqir i ndeshjes mes Realit dhe Celticut, e vlefshme kjo për xhiron e gjashtë të fazës së grupeve të kësaj gare.

Në xhiron e fundit në këtë garë, Reali u mposht nga RB Leipzigu me rezultat të ngushtë 3:2, kurse Celticu barazoi 1:1 me Shakhtar Donetsk.

Momentalisht, Reali zë vendin e parë në Grupin F me 10 pikë të arkëtuara, një më shumë se vendi i dytë, RB Leipzigu që zhvillon sot ndeshje kundër Shakhtar Donetsk.

Në anën tjetër, Celticu pozicionohet në vendin e fundit në këtë grup, respektivisht në pozitën e katërt me vetëm dy pikë të arkëtuara.

Takimi i fundit mes Realit dhe Celticut daton në muajin shtator të këtij viti, ku asokohe gjiganti spanjoll regjistroi fitore bindëse si mysafirë me rezultat 3:0.

Sa i përket ndeshjes së sotme, të dy skuadrat do të kenë probleme me mungesa të lojtarëve, ku për Realin nuk do të paraqiten Hazard dhe Tchouameni, kurse te Celticu mungojnë McGregor, Starfelt dhe Welsh.

Formacionet e mundshme të dy skuadrave i gjeni më poshtë.

Real Madrid (4-3-3): Courtois; Mendy, Militao, Nacho, Vazquez; Kroos, Modric, Camavinga; Vinicius Junior, Rodrygo, Asensio

Celtic (4-3-3): Hart; Taylor, Jenz, Carter-Vickers, Ralston; Hatate, O’Riley, Mooy; Abada, Furuhashi, Forrest