12:55 / E Enjte, 26 Nëntor 2020 / OSH

Reçica: Askush nuk do të mbetet pa shërbime sociale për shkak të mungesës së përkushtimit tim

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka pritur në një takim Valbona Çitakun, nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Viktimave nga Dhuna, njëherit drejtoreshë e strehimores së fëmijëve “Shpresa dhe Shtëpitë e fëmijëve” dhe Donjeta Kelmendin, drejtore e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve- KOMF.

Ai përmes një statusi në Facebook, ka shprehur gatishmërinë dhe angazhimin e tij për të qenë pranë këtyre organizatave dhe kategorive që ato mbrojnë.

“Si ministër i MPMS-së, vazhdimisht kam bërë thirrje që çështja e financimit të rregullt të të gjithë atyre që ofrojnë shërbime sociale për fëmijët të rregullohet përmes Grantit specifik për shërbimet sociale, mirëpo edhe në mungesë të kësaj, ne vazhdimisht kemi mbështetur financiarisht këto strehimore, për aq sa kemi pasur mundësi ligjore dhe financiare”, ka thënë gjatë takimit ministri Reçica.

Ai i ka siguruar dy udhëheqëset e këtyre OJQ-ve, se askush nuk do të mbetet pa shërbime sociale për shkak të mungesës së përkushtimit tim, si ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.