Reçica: Do të mbështesim në çdo kohë ofruesit e shërbimeve sociale

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, bashkë me zv.kryeministren, Albulena Balaj-Halimaj, sot kanë vizituar qendrën e kujdesit ditor “PEMA” në Prizren.
Ministri Reçica gjatë qëndrimit në këtë qendër, ka thënë se, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera pune me ketë organizatë joqeveritare, që punon ngushtë me të gjitha autoritetet e tjera qendrore dhe lokale për të ofruar shërbime sociale cilësore dhe të bazuara në komunitet për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët e neglizhuar.

“Shpreha gjithë gatishmërinë time, se dikasteri që drejtoj, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, do të vazhdojë të jetë bashkëpunuese dhe mbështetëse e të gjithë ofruesve të këtyre shërbimeve të rëndësishme, me qëllim që të përkrahim dhe të asistojmë edhe më tej në zhvillimin dhe avancimin e shërbimeve sociale për kategoritë e fëmijëve të lartcekura dhe familjet e tyre”, ka thënë ministri Reçica.

Gjithashtu, ministri Reçica bashkë me zv.kryeministren Balaj-Halimaj kanë shprehur gjithë mirënjohjen e tyre ndaj stafit të angazhuar në të gjitha qendrat e kësaj natyre në nivel vendi, që me vullnet kontribuojnë në shërbim të këtyre fëmijëve.