75 Mall Live Search
17:28 / E Hënë, 15 Tetor 2018 / indeksADMonline

Reçica: Ligji që trajton edhe shtesat për fëmijë së shpejti në Kuvend

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, gjatë fjalës së tij në debatin parlamentar për shtesat për fëmijë tha se MPMS, në kuadër të reformave sociale dhe pensionale që ka ndërmarrë, ka planifikuar edhe zgjidhjen e çështjes sa i përket shtesave për fëmijë.

“MPMS ka hartuar draftin e parë të reformës pensionale në Kosovë ku parashihet krijimi Fondit për Sigurime Sociale, në të cilin në një të ardhme të afërt do të instalohet edhe sistemi i shtesave për fëmijë”, tha ministri Reçica, transmeton Indeksonline.

Duke ju referuar të dhënave zyrtare, ministri tha se numri i fëmijëve në moshë 0-14 mund të jetë rreth 450,000 fëmijë andaj nëse fillohet me zbatimin e një skeme të fëmijëve, duhet të përcaktohet qartë mënyra e financimit dhe mbulimit të kostos për pagesën e shtesave për fëmijë.

“Me krijimin e Fondit për Sigurime Sociale do të zgjidhet çështja e shtesave për fëmijë, duke ndikuar në ngritjen e mirëqenies së fëmijëve dhe duke mos ngarkuar buxhetin e Kosovës edhe ashtu të rënduar”, tha ministri./Indeksonline/