12:18 / E Mërkurë, 14 Gusht 2019

Reçica: PDK-ja garon e vetme, në zgjedhje, s’ ka vija të kuqe për asnjë parti

Edhe pse Partia Demokratike e Kosovës është pro shpërndarjes së Kuvendit më 22 gusht, ende nuk ka finalizuar listën me nënshkrime nga të gjithë deputetët e Grupit parlamentar të këtij subjekti për të shkuar vendi në zgjedhje.

Ndërsa, të gjitha subjektet e tjera kanë thënë t’i kenë dorëzuar listat me nënshkrime në kuvend.

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica në një intervistë për KosovaPress-in deklaron se PDK-ja do ta mbështet mocionin për shpërndarjen e Kuvendit javën e ardhshme. Sipas Reçicës që është pjesë udhëheqëse e PDK-së, kjo parti është e gatshme të shkojë vendi në zgjedhje dhe deri tashti ka grumbulluar 18 nënshkrime të deputetëve.

“Pa diskutim se PDK-ja dhe Grupi Parlamentar i PDK-së do ta mbështesë mocionin për shpërndarjen e kuvendit më 22 gusht dhe nuk ka pasur në asnjë moment dhe nuk ka dilema. Ne kemi pasur qëndrimet tona, mirëpo që nga dorëheqja e kryeministrit Haradinaj, ne kemi dalë me qëndrime shumë të qarta, edhe kryetari i partisë, edhe shefi i GP-së, por edhe gjithë nomenklatura e PDK-së. Pra, ne jemi të gatshëm për zgjedhje dhe PDK-ja kërkon që të shkohet në zgjedhje…, ende nuk është përmbyllur për shkak se një pjesë e deputetëve kanë qenë në pushime. Por unë besoj se shumë shpejt do të përmbyllet lista e nënshkrimeve nga deputetët që do ta nënshkruajnë mocionin. Andaj, më 22 gusht deputetët do të jenë aty për ta votuar mocionin për shpërndarjen e parlamentit”, thotë Reçica. 

Sa u përket lokacioneve parazgjedhore me ndonjë subjekt politik në zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, Reçica deklaron se PDK-ja do të marrë pjesë në zgjedhje e vetme, por pasi të mbahen ato, ky subjekt nuk do të ketë vija të kuqe me asnjë parti politike për formimin e qeverisë së re. Ndërsa, se a është e gatshme PDK-ja të mbetet në opozitë, Reçica pohon se për këtë vendosin votuesit.

“PDK-ja kësaj radhe hynë në garë për të fituar dhe për ta pasur kryeministrin, dhe ai është Kadri Veseli. Duhet pasur parasysh që edhe pas zgjedhjeve që pritet të mbahen tash, ne si parti politike qoftë të pozitës ose të opozitës duhet të bashkëpunojmë. Mirëpo, PDK-ja është ajo që I ka pranuar dhe gjithmonë do t’i pranoj rezultatet zgjedhore. Në këtë aspekt sovrani vendos. Absolutisht të gjitha janë të mundura dhe nuk kemi asnjë vijë të kuqe në këtë aspekt. Nuk mund ta prejudikoj, të gjitha partitë nga aspekti konceptual dhe nga aspekti praktik e pranojnë programin qeverisës të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të kryeministrit Veseli, mund të jenë pjesë e koalicionit”, deklaron ai.

Ndërsa, deputeti Reçica shtoi se PDK-ja është duke u angazhuar fuqimisht që të komunikojë me qytetarët për të marrë mbështetjen e tyre edhe në zgjedhjet që pritet të mbahen shpejt.