11:31 / E Enjte, 20 Shtator 2018 / indeksADMonline

Reçica: Personat me aftësi të kufizuara do të trajtohen me ligj gjithëpërfshirës

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka thënë se të drejtat ndaj personave me aftësi të kufizuara shpesh po hasin në vështirësi të realizimit për shkak se aftësia e kufizuar është e rregulluar me disa ligje të veçanta, gjë që ka shkaktuar një pabarazi në mes të këtyre kategorive.

Në një intervistë për RTK, Reçica ka thënë se duke marrë parasysh këtë pabarazi që është shkaktuar, MPMS, në agjendën legjislative ka paraparë hartimin e koncept dokumentit për Personat me Aftësi të Kufizuara ku do të trajtohen në mënyrë të barabartë të gjitha kategoritë, koncept dokument që i paraprinë ligjit gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuara.

Ai ka thënë se nga marrja e postit ka shtyrë përpara shumë probleme që për një kohë të gjatë kanë qëndruar nëpër sirtarë, pasi ka hasur edhe në ligje që kanë hyr në fuqi në vitin 2017 por nuk kishte buxhet të planifikuar për to andaj MPMS ka nisur shlyerjen e borxheve edhe për periudhën retroaktive.

Gjithashtu, ministri ka thënë se MPMS ka nxjerre një udhëzim administrativ, në bazë të së cilit ndërmarrjet të cilat nuk punësojnë persona me aftësi të kufizuar, sipas ligjit në fuqi, do të paguajnë për çdo 50 të punësuar një shumë të pagës minimale, e cila do të shkojë në buxhetin e Kosovës dhe do të shfrytëzohen për punësimin e këtyre personave apo edhe nevojave tjera për personat me aftësi të kufizuar.

“Sa i përket punësimit të këtyre personave nuk jam i kënaqur. Unë e kam ngritur zërin disa herë për këta persona në Kuvend. Si ministri ne kemi avancuar bashkëpunimin me ta që të jenë sa më të përgatitur dhe të aftë për një vend pune, për këtë kemi edhe qendrat e aftësimit profesional. Kemi vërë në funksion këto qendra dhe u kemi thënë edhe shoqatave tjera që do të jemi të hapur dhe do të krijojmë mundësi që këta qytetarë ti bëjmë të aftë për një vend punë”, ka theksuar Reçica./Indeksonline/