16:54 / E Shtunë, 16 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Reçica, porosi për VV-në: Populli nuk do t’ua falë atyre që duan hasmëri

Zyrtari i lartë i Nismës Socialdemokrate, njëherësh ministri në largim i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka thënë se Kosova ka nevojë, si kurrë më parë për përafrim të spektrit politik, sepse problemet e vërteta i ka me fqiun- Serbinë.

Në frymën e kësaj, ai ka deklaruar se faktori politik në Kosovë duhet të jetë i bashkuar dhe t’i tejkalojë interesat personale, shkruan AktivPress.

Reçica ka përkujtuar se “në kohën kur BE vendos kushte të reja për liberalizim të vizave për Kosovën, dikush tenton të grabisë dhe të bëjë pazar me mandatet për të cilat populli vendosi në ditën e zgjedhjeve të 6 Tetorit”.

“Këto mandate u vërtetuan nga instancat gjyqësore të Republikës, andaj edhe duhet të pranohen të tilla dhe nuk kemi nevojë të hedhim gurë mbi to. Edhe ne jemi për Vetting, por jo në formën dhe mënyrën e kërcënimit, sepse mund të gabojmë rëndë nëse fillojmë të kryqëzojmë sistemin e drejtësisë pa fakte dhe ende pa marrë pushtetin”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

“Gjithmonë në situata të vështira të Kombit, përkatësisht situatat kur Kosova gjendet në udhëkryqet e mbijetesës shtetërore, ne jemi të përkushtuar për të zgjedhur partneritetin e jo hasmërinë dhe ata që e zgjedhin këtë të fundit, nuk do t’ua falë populli, ai i cili vendosi me 6 tetor”, ka shtuar reçica.

Demokracia, sipas tij, ështē e shëndëtshme kur populli përcaktohet për ata që do të udhëheqin me vendin, kur ata sillen në bazë të kësaj demokracie dhe kur fryma e tolerancës e drejtësisë fillon nga ajo demokraci.