Reçica: Qeveria në detyrë po përdor rritjen e pensioneve dhe pagës minimale për propagandë elektorale
 
				Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka reaguar pas mbledhjes së fundit të qeverisë në detyrë, duke e cilësuar atë si “një spektakël propagandistik” dhe jo një mbledhje serioze me karakter institucional.
Reçica tha se mbledhja, e zhvilluar vetëm pak orë para takimit të presidentes me përfaqësuesit e partive politike për të shqyrtuar formimin e një qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme, “nuk kishte qëllim qeverisës, por elektoral”.
Sipas tij, qeveria në detyrë po përdor rritjen e pensioneve, shtesat për fëmijë dhe pagën minimale “jo si politika të qëndrueshme sociale, por si instrumente të fushatës politike”. Ai e quajti këtë veprim “mungesë përgjegjësie dhe keqpërdorim të funksionit publik në një moment vendimtar për vendin”.
“Kjo mbledhje nuk mund të konsiderohet as reformatore e as e përgjegjshme. Qeveria kishte katër vjet për të reformuar sistemin social, por nuk bëri asgjë. Tani po rikthen premtimet e vjetra në formë të dhuratave buxhetore për qëllime politike”, theksoi Reçica.
Ai kritikoi edhe miratimin e projektbuxhetit për vitin 2026 nga një qeveri në detyrë, duke e quajtur “tejkalim të mandatit politik dhe shkelje të frymës së përgjegjësisë institucionale”.
Reçica kujtoi se vetëm disa ditë më parë Kosova shënoi 10-vjetorin e Marrëveshjes së stabilizim-asociimit me Bashkimin Evropian, që sipas tij duhej të ishte dëshmi e përkushtimit ndaj standardeve evropiane të qeverisjes, por “vendimet e sotme tregojnë devijim të qartë nga ato standarde”.
Në përfundim, ai theksoi se shtetet e qëndrueshme “nuk ndërtohen mbi retorikën e dhuratave para zgjedhjeve, por mbi institucione funksionale dhe politika afatgjata sociale”, duke apeluar për maturi, transparencë dhe respektim të plotë të rendit kushtetues.


 
											 
											 
											 
											 
											 
											 
                                 
                                 
                                 
                                 
                                