Reçica: Qeveria në detyrë po tenton ta përdorë paranë publike për përfitime elektorale
Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë në detyrë për ndarjen e mbështetjes financiare për pensionistët, studentët dhe kategori të tjera sociale, duke e cilësuar atë si përpjekje për përfitime elektorale në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Përmes një reagimi publik, Reçica ka thënë se mbështetja për lehonat, pensionistët, studentët dhe kategoritë sociale është obligim institucional i shtetit dhe jo “dhuratë” e ndonjë partie politike.
Ai ka theksuar se koha kur po merren këto vendime i bën qytetarët të kuptojnë se kemi të bëjmë me “një përpjekje të hapur për manipulim elektoral dhe përdorim të parasë publike në funksion të votës”.
Sipas Reçicës, gjatë pesë vjetëve të fundit qytetarët janë përballur me rritje të vazhdueshme të çmimeve, mungesë perspektive, stagnim ekonomik dhe ikje masive të të rinjve nga vendi.
“Sa herë afrohen zgjedhjet, qeveria rikthehet tek i njëjti model i vendimeve populiste, duke u kujtuar për pensionistët, studentët dhe familjet vetëm atëherë kur ka nevojë për votën e tyre”, ka deklaruar ai.
Në fund, ish-ministri ka vlerësuar se Kosovës i duhen politika serioze zhvillimore, ekonomi më e fortë, vende të reja pune dhe reforma të qëndrueshme sociale, e jo “aksione populiste të minutës së fundit”.

