Reçica: Rajonit tonë i duhet një paqe e qëndrueshme, me perspektivë për rininë
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, mori sot pjesë në konferencën e organizuar nga Federata e Paqes Universale në Botë, në vigjilje të 20 vjetorit të lirisë në Kosovë.
Reçica theksoi se paqet në botë por edhe në rajonin tonë nuk kanë qenë të lehta dhe se fati historik dhe pozita gjeografike kanë bërë që politika e Ballkanit të mbetet errësira e shekujve plotë luftëra.
Më poshtë gjeni fjalimin e plotë të Reçicës:
Jemi shumë të nderuar sot, që Federata e Paqes Universale në Botë ka organizuar këtë konferencë, në vigjilje të 20 vjetorit të lirisë së Kosovës, liri e cila na ka kushtuar mjaft, por tashmë e shumë vite më parë, ne kemi punuar e jemi duke punuar e kontribuar për të ndërtuar paqe të përhershme me fqinjët tanë dhe me popujt e gjithë botës.
Paqet në botë, por edhe në Rajonin tonë, nuk kanë qenë lehtë të arritshme dhe shpesh herë ato edhe janë prishur, për shkak të urrejtjes së mbjellur gjeneratë pas gjenerate.
Rajoni ynë, si kudo udhëkryqet botërore, jo rrallë ka notuar në fatkeqësitë që sollën pikëndarjet e perandorive në kohërat e ndryshme. Fati historik dhe pozita gjeografike kanë bërë që politika e Ballkanit të mbetet errësira e shekujve plotë luftëra, plotë urrejtje e mosbesim, plotë energji negative të akumuluara për fqiun, edhe pse në të shumtën e kohës kanë ndarë të njëjtin fat.
Kjo ka bërë që edhe elitat politike të kenë bazën e vetë pushtetore strofull të kësaj mendësie, prandaj kanë qenë pranë, e larg Evropës. Pasioni për luftëra e grabitje territoresh nuk është gjë tjetër veçse fati tragjik i një shpirti të sëmurë, të cilin pamëdyshje mund ta quajmë „Sindromi Ballkanik“!
Urrejtjet dhe paragjykimet në rajonin tonë përfunduan me më të keqën “luftë”, ku si pasojë janë humbur mijëra jetë njerëzish, mijëra gra janë dhunuar seksualisht, qindra mijëra shtëpi janë djegur e shumë pasuri janë grabitur apo edhe asgjësuar.
Ajo gjendje që ka mbetur në kujtesën tonë nuk duhet harruar kurrë, sepse ne vetë e dimë se çfarë vuajtjesh kemi kaluar në këtë regjion, mu për shkak të paragjykimeve dhe urrejtjeve që kanë ekzistuar, por kjo duhet të jetë si shembull për ndërtimin e një paqe të qëndrueshme, ku popuj të ndryshëm jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin, duke respektuar nacionalitetin, fenë, racën e secilit.
Tashmë të rinjtë tanë kanë fatin e mirë, sepse janë duke u rritur, shkolluar e zhvilluar në liri, në paqe dhe ne duhet të jemi garanti se kjo paqe do të jetë e qëndrueshme dhe përgjithmonë.
Paqja ndërtohet vetëm duke ditur se sa e keqe është lufta dhe çfarë pasojash rrjedhin nga ajo, andaj ne duhet një herë e përgjithmonë të ç’rrënjosim urrejtjen dhe paragjykimet ndaj popujve të ndryshëm.
Ne na mbetet që të investojmë në gjeneratën e mrekullueshme që kemi në vendin tonë, të ofrojmë edukim më të mirë, shëndetësi, mirëqenie më të mirë sociale, punësim dhe këto vetëvetiu janë parakushte për një perspektivë më të mirë të tyre.
Perspektiva për rininë ndërtohet duke pasur një shoqëri të hapur dhe duke angazhuar të gjithë, si në mes vete, por gjithashtu edhe me fqinjtë me një komunikim normal dhe duke trajtuar temat të cilat na kanë preokupuar për shumë kohë.
Rajonit tonë i duhet një paqe e qëndrueshme, me qëllim që të ketë perspektivë për rininë tonë, andaj ne si shtet, si institucione e kemi për obligim që kusurët ndërmjet vete që kemi t’i sqarojmë një herë e mirë dhe mos të lëmë barrën gjeneratave të reja.

