12:05 / E Hënë, 27 Gusht 2018 / indeksADMonline

Reçica takon të rinjtë nga Kosova që do të aftësohen profesionalisht në Gjermani

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica priti në takim një grup të rinjsh nga Kosova, të cilët janë përzgjedhur për arsim dhe aftësim profesional në Gjermani, në kuadër të programit ‘Ausbildungsinitiative 2018’ në mes të MPMS-së dhe GIZ-it gjerman, i cili po implementohet në bashkëpunim me Shoqatën e Ndërtuesve Bavarez në Gjermani.

Gjashtë studentët e grupit të parë do të udhëtojnë sot në Gjermani ndërkaq nëntë të tjerë do të udhëtojnë në tetor të këtij viti.

Ministri Reçica përgëzoi studentët për mundësinë që u është dhënë duke thënë se MPMS, së bashku me shtetin gjerman nëpërmjet organizatës GIZ, do të bashkëpunojë në programe të ngjashme, duke zgjedhuar mundësitë që të rinjtë tanë të aftësohen në fusha të ndryshme.

“Të rinjtë janë pasqyra e shtetit tonë. Aftësitë që do t’i përfitoni në Gjermani uroj që t’i ktheni në praktikë pasi të ktheheni në Kosovë. Vendi ynë ka nevojë për të rinj të aftësuar profesionalisht cilët i kontribuojnë vendit, duke u shndërruar në shembull edhe për gjeneratat e tjera”, tha Reçica.

Studentët falënderuan ministrin për pritjen dhe përkrahjen duke thënë se aftësitë të cilat do t’i përfitojnë gjatë qëndrimit në Gjermani do t’i shfrytëzojnë për t’i shërbyer vendit pasi të kthehen në Kosovë, në mënyrë që të kontribuojnë në rritjen e mirëqenies sociale./Indeksonline/

Temat: