Reduktime drastike të ujit në Pejë, “Hidrodrini” jep ‘lajmi e keq’ për konsumatorët

Komuna e Pejës po përballet me reduktime të vazhdueshme të ujit të pijshëm që nga java e kaluar.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” ka njoftuar për vazhdimin e reduktimeve të ujit në disa zona të qytetit, për shkak të nivelit të ulët të ujit në burimet ujore si pasojë e thatësirave dhe mungesës së reshjeve. Sipas njoftimit, kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në kapacitetin e furnizimit me ujë për konsumatorët.
Në një përgjigje për IndeksOnline, “Hidrodrini” ka bërë të ditur se kjo masë do të vazhdojë për një kohë të pacaktuar, deri në përmirësimin e kushteve klimatike dhe rritjen e nivelit të ujit në burime.
“Nuk mund të kemi parashikim të saktë, meqë një gjë e tillë vjen si pasojë e thatësirave dhe mungesës së reshjeve,” thuhet në përgjigje.
Sipas kompanisë, nuk parashihet ndonjë zbritje në faturat mujore për konsumatorët, pasi në periudhat kur nuk ka furnizim me ujë, nuk ka as shpenzim në ujëmatës. Ndërkohë, furnizimi me cisterna për zonat më të prekura nuk është aktivizuar, pasi oraret aktuale të reduktimeve nuk e imponojnë një ndërhyrje të tillë megjithatë, kjo mbetet një opsion në rast nevoje.
“Jo, sepse për aq sa nuk ka ujë, nuk ka as shpenzim në ujëmatës. Kohëzgjatja e orareve të reduktimeve, deri në këtë moment, nuk imponon nevojë për një veprim të tillë, i cili mbetet opsional,” thuhet më tej në përgjigje për IndeksOnline.
“Hidrodrini” ka konfirmuar gjithashtu se është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet qeveritare për të përballuar situatën, ndërsa është duke punuar edhe në një plan-projekt afatgjatë për të shmangur probleme të ngjashme në të ardhmen.
Gjatë ditës së sotme kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri ka reaguar në lidhje me reduktimet me ujë në këtë qytet. Ai ka ftuar që sa më parë të emërojë bordin e “Hidrodrinit”, ndërsa ka shtuar se gjendja e furnizimit në disa lagje është alarmante./IndeksOnline/