75 Mall Live Search
17:48 / E Hënë, 10 Nëntor 2025 / F.R

Reduktime të mëdha të energjisë në Ukrainë, si pasojë e sulmeve ruse

Kievi dhe disa rajone ukrainase po përballen me mungesë të madhe të energjisë, teksa ekipet po bëjnë përpjekje për të riparuar infrastrukturën e dëmtuar nga sulmet ajrore ruse.

Reduktime të energjisë do të ketë në shumicën e rajoneve, prej tetë deri në 16 orë, ka bërë të ditur kompania ukrainase për energji Ukrenergo, duke thënë se situatë e njëjtë do të jetë për disa ditë.

“Reduktimet janë pasojë e sulmeve masive ruse me dronë dhe raketa në infrastrukturën e energjisë”, ka thënë kompania.

“Është e vështirë të kujtojmë se kur ka pasur kaq shumë sulme direkte në sektorin e energjisë prej nisjes së pushtimit”, ka thënë zëdhënësja e kompanisë ukrainase të energjisë, Svitlana Hrynchuk.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka thënë para popullit se “ekipet për riparim janë duke punuar pa pushim në të gjitha rajonet”.

Edhe para nisjes së ndërrimit të stinës në Ukrainë, Rusia e pati intensifikuar fushatën për ta dëmtuar rrjetin e energjisë, objektet për magazinim të gazit natyror, si dhe gazsjellësit, në përpjekje për t’i demoralizuar ukrainasit.

Ndërkohë, shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi ka paralajmëruar për rrezikun e sulmeve ushtarake në centrale bërthamore.

“Vazhdoj të bëj thirrje për përmbajtje maksimale ushtarake, në mënyrë që të garantojmë sigurinë bërthamore dhe t’i shmangim aksidentet me pasoja të mëdha radiologjike”, ka thënë ai përmes një deklarate.

Grossi ka bërë të ditur se centrali më i madh bërthamor ukrainas, që gjendet në Zaporizhja, ka nisur sërish të ketë qasje në rrjetin e rezervave të energjisë, për herë të parë në gjashtë muaj.

Centrali, i cili është nën kontrollin rus, është përballur me probleme të mëdha të energjisë, çka ka rrezikuar ftohjen e ujit të domosdoshëm dhe punën e gjithë pompave.

Ministria ruse e Mbrojtjes, në anën tjetër, ka thënë se ka nisur “sulm masiv me precizitet të lartë” me qëllim të shënjestrimit të qendrave për prodhim të armëve dhe objektet e energjisë në Ukrainë.

Kjo situatë ka rezultuar me ndaljen e punës së disa metrove nëpër Ukrainë. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.