Reduktimet e ujit pas reshjeve, flasin nga KRU “Prishtina”

Mëngjesi i djeshëm nisi me reshje të dendura shiu në shumë qytete të vendit.
Rajoni i Dukagjinit u përball me vërshime të mëdha, teksa një gjendje jo më e mirë ishte edhe në Rrafshin e Kosovës.
Për shkak të reshjeve të mëdha, uji i pijes është turbulluar, teksa kompanitë rajonale të ujësjellësve kanë bërë lajmërime që mund të ketë reduktime të ujit kohë pas kohe.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka lajmëruar dje se në Fushë Kosovë, një pjesë të lagjës Kalbaria dhe në Zonën Industriale, pikërisht për shkak te turbullirave pas reshjeve, sot do të ketë ujë vetëm nga ora 07:00 deri në ora 09:00.
Mirëpo, disa banorë të Fushë Kosovës thonë për Indeksonline se uji nuk është lëshuar për përdorim qysh nga reduktimet e paraditës së djeshme.
“Nuk ka ujë në Fushë Kosovë. Që 30 orë gati jemi pa ujë.”
Lidhur me këtë, Indeksonline ka kontaktuar zëdhënësen e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, e cila ka thënë se uji është akoma i turbulluar.
Sipas Mjekut, orari i furnizimit me ujë është respektuar, por që në disa zona të larta, përkatësisht kate të larta të ndërtesave, uji nuk ka mbërritur.
“Këtij orari ne iu kemi përmbajtur edhe mbrëmë edhe sot në mëngjes, por ka disa zona të larta/kate të larta të ndërtesave që uji nuk ka mundur të iu mbërrijë për shkak se një pjesë e konsiderueshme e ndërtesave në Fushë Kosovë kanë rezervuare dhe derisa janë mbushur rezervuaret e tyre, sasia e ujit që e kemi shpërnda veçse është harxhuar nga pikat e ulëta” ka deklaruar Mjeku.
Ajo ka shtuar se gjendja me turbullira është ende e lartë, por që KRU “Prishtina” është e mobilizuar dhe duke bashkëpunuar edhe me Ibër Lepencin.
“Gjendja me turbullirë është ende e lartë, por jemi mobilizuar të gjithë teknikisht, edhe me akterët e tjerë si Ibër Lepenci, për një zgjidhje më të mirë, diku në orët e pasditës dhe se vazhdishimit jemi duke e bërë matjen e nivelit të turbullirës në kanal” shtoi Mjeku.
Ajo pohoi se në stabilizimin më të vogël të ujit, ajo sasi do të trajtohet dhe shpërndahet te konsumatorët./Indeksonline/