Reformimi i brendshëm i partive politike njëra nga mënyrat më të mira për ti shërbyer Kosovës dhe popullit të saj
Shkruan, Azem Hajdari, profesor i Procedurës Penale në Fakultetin Juridik
Paqartësitë e shumta politike, ekonomia e dobët dhe sistemi i drejtësisë jofunksional janë arsyet kryesore që determinojnë zhgënjimin e madh qytetar dhe braktisjen e Kosovës nga të rinjtë. Njëra prej pyetjeve kryesore që për çdo ditë e shtrojmë secili nga ne është: kush është fajtori kujdestar i gjithë kësaj rrëmuje?
Ndonëse kësaj pyetje mund ti vijnë shumë përgjigje, unë megjithatë konsideroj se njëra prej tyre është mbase kryesorja. Rrjedhimisht, përkundër peshës së madhe që mund të kenë individët e veçantë, fajtor kujdestar janë partitë politike. Ato të barrikaduara nga disa njerëz pa-kurrizorë brenda tyre, i kanë shndërruar organizatat politike të Kosovës në çati personale, të cilat po i shfrytëzojnë thjeshtë për përmbushjen e apetiteve të tyre personale e familjare, e herë – herë edhe grupore. Mbi bazën e këtyre interesave, këta individë deri sot me mjaft lehtësi e kanë penguar hapjen e partive politike dhe e kanë pamundësuar deri në pafundësi brezin e inteligjencës dhe të rinjve që të jenë pjesë e organizimit politik dhe të ofrojnë idetë e tyre kreative për qartësimin e proceseve politike kombëtare e zhvillimore nëpër të cilat ballëhapur do të rrugëtonte Kosova.
Mjegulla e madhe që kanë hedhur partitë politike kryesore në Kosovë, e cila u ka dhënë atyre mundësi që ta uzurpojnë të thuash tërësisht terrenin politik, ekonomik etj., të vendit, i ka zbehur në pafundësi shpresat qytetare për mundësinë e daljes në skenë të ndonjë iniciative serioze e cila do të shpartallonte këtë mjegull. Pavarësisht kësaj, unë megjithatë e kam shumë të qartë se të rinjtë e Kosovës nuk do të lejojnë që kjo mjegull t’ua grabitë të ardhmen e tyre në pafundësi. Ata përbëjnë brezin që po forcohet me dije dita – ditës, brezin që po pajiset me përvojat më të mira të kolegëve të tyre kudo në botë dhe që po e skalitin në shpirtin e tyre fisnik dashurinë e madhe për vendin e kombin, dhe është e pritshme që ai brez do ti kthej shpresat dhe do ti bëj realitet ecjet tona shtetërore e kombëtare.
Duke e ndjerë këtë nevojë, konsideroj se përgjegjësit e partive politike kryesore të vendit duhet me urgjencë ti hapin dyert e partive të tyre për prurje të ideve e gjeneratave të reja. Tu japin atyre hapësirë dhe të futen në kursin e reformimit të thellë brenda tyre. Ky reformim duhet të jetë i gjithanshëm, funksional e dobiruerës për partitë dhe vendin. Partitë politike duhet të kuptojnë një herë e mirë se po ikën koha e papagajve, mediokreve dhe e të padijshmëve. Ato duhet të kuptojnë se kanë nevojë për reforma të thella dhe gjithëpërfshirëse, nga nivelet më të ulta deri te ato më të lartat në hierarkinë organizative. Ato reforma duhet të prodhojnë liderë e lidere të reja, klasë politike të ndërgjegjshme, profesionale e patriotike. Ato duhet të prodhojnë organe partiake ku shpërndahen përgjegjësitë mbi bazën e autoritetit që gëzojnë individët dhe nevojave profesionale e zhvillimore të organizatës. Ato duhet të prodhojnë organe që përfaqësojnë strukturën gjinore dhe atë të moshës së popullsisë të vendit. Ato duhet ti nxjerrin jashtë loje karrieristët, të padijshmit dhe autoritarët. Ato duhet të sjellin në skenë demokratët, debatuesit dhe ata që mundësojnë konkurrencën e njëmendët brenda organizatës politike.