23:18 / E Enjte, 20 Tetor 2022 / MSH

Refuzimi i gazsjellësit, Rizvanolli: Më e bindur se kurrë që investimi në bateri është i duhuri

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, thotë se është më e bindur se kurrë se investimet në bateri sa i përket energjisë janë të duhura në raport me gazsjellës.

Ajo në Rubikon, deklaroi se sistemi i baterive është dëshmuar që është më i sigurt dhe se vendi mund të përfitojë në shumë mënyra.

“Jam më e bindur se kurrë më parë… Mendoj se kriza dhe rritja e çmimeve të gazit që e kemi parë që nga vera e kaluar, por të cilat janë bërë dukshëm më keq me kalimin e kohës dhe mënyra se si presidenti Vladimir Putin është duke e limituar rrjedhën e gazit dhe duke e përdorur gazin si armë kundër Evropës më bën të jem shumë më komodt dhe të diskutojmë për investimet në bateri sesa fillimin e një gazsjellësi tani”.

“Sistemi i baterive ka dëshmuar se ka shumë më pak rreziqe dhe mund të mbështesë tranzicionin në një ekonomi të gjelbër dhe këto janë parimet tona udhëzuese në strategjinë tonë energjetike. Dhe nga Kompakti, në veçanti nga investimi në bateri, do të përfitojë vendi në shumë mënyra. Stabilizimi i frekuencës është diçka të cilën ne mund ta marrim si të mirëqenë dhe të mos e vlerësojmë. Por kur kemi probleme e vërejmë dhe dëmet që shkaktohen në pajisje, do ta zvogëlojë nevojën që të blejmë pajisje balancuese nga shtetet tjera dhe na ndihmon t’i plotësojmë kërkesat për rezerva, të cilat aktualisht nuk i plotësojmë. E zvogëlon koston e importit të energjisë dhe më e rëndësishmja do të mundësojë lidhjen e kapaciteteve të reja gjeneruese solare dhe me erë, të cilat planifikojmë t’i ndërtojmë gjatë viteve të ardhshme”.

Marrëveshja me MCC-në sipas Rizvanollit do t’i kursejë shtetit më së paku 50 milionë euro çdo vit veçse nëse çmimet e tanishme bien përfitimi do jetë shumëfish më i madh.

“Ky është një investim në kohë të duhur, për të cilin jemi shumë të lumtur dhe i cili do t’ia kursejë shtetit të paktën 50 milionë euro çdo vit dhe kjo është vlerësuar bazuar në çmimet para krizës. Në çmimet e sotme i bie shumëfish më shumë. Pra kur i vendos të gjitha këto bashkë me ndikimin e madh që do të ketë në zhvillimin e aftësive dhe mundësitë e punësimit për një sektor të ri dhe dinamik, programet besoj se do të jenë të parat në rajon, pra do të kemi një avantazh në fuqinë punëtore për të ardhmen e sektorit të energjisë në rajon”.

“Mendoj se me këtë program dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, mundësitë që ofron për gratë të përfshihen në sektorin e energjisë, që është sektor shumë fitimprurës dhe shumë i rëndësishëm edhe në aspekte të tjera”, tha Rizvanolli.