75 Mall Live Search
14:32 / E Martë, 18 Shkurt 2025 / LB

Refuzohet akuza për mosraportim të pasurisë ndaj kryetares së Graçanicës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar aktakuzën ndaj Liljana Shubariqit, e cila akuzohej që në cilësinë e kryetares së Komunës së Graçanicës me rastin e deklarimit të pasurisë në vitin 2021, nuk ka deklaruar pasurinë e paluajtshme në emër të bashkëshortit.

Ky aktgjykim u shpall të martën nga gjyqtari Sabit Sadikaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimu u mor konform nenit 362, paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Peenale, pasi që në seancën e kaluar prokurori i rastit, Besart Mustafa, është tërhequr nga ndjekja penale, me arsyetimin se nuk është vërtetuar dashja.

Po ashtu, gjyqtari Sadikaj tha se shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të mjeteve buxhetore gjykatës.

Sipas aktakuzës së ngritur, më 31 maj 2023, e pandehura Liljana Shubariq ngarkohej se në cilësinë e zyrtares së lartë publike, përkatësisht në cilësinë e kryetares së Komunës së Graçanicës, me dashje nuk ka deklaruar, apo paraqitur të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë me rastin e deklarimit të pasurisë në vitin 2021, duke mos deklaruar pasurinë e luajtshme me sipërfaqe prej 400 m2 në emër të bashkëshortit të saj, Sasha Shubariq.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit penal.