Refuzohet ankesa e Barcelonës, Hansi Flick mungon në “El Clasico”

Komiteti i Garave i Federatës Spanjolle të Futbollit ka refuzuar ankesën e Barcelonës për përjashtimin e trajnerit Hansi Flick, i cili u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen ndaj Gironës.
Si pasojë, trajneri gjerman do të mungojë në “El Clásico”-n e parë të sezonit kundër Real Madridit këtë të diel në orën 16:15.
Flick u ndëshkua pas dy reagimeve ndaj vendimeve të gjyqtarit Gil Manzano, që e dërguan drejt përjashtimit.
Pavarësisht fitores 2-1 të Barçës në atë ndeshje, klubi kërkoi anulimin e dënimit, duke pretenduar se gjestet e Flickut nuk ishin ndaj gjyqtarit, por për të motivuar De Jongun.
Presidenti Joan Laporta doli në mbrojtje të trajnerit, duke thënë se “reagimi ishte njerëzor dhe pjesë e pasionit të futbollit”.
Megjithatë, Komiteti nuk pranoi argumentet dhe Flick nuk do të jetë në stol ndaj Real Madridit, një mungesë e ndjeshme për Barcelonën në sfidën më të madhe të sezonit.