75 Mall Live Search
14:53 / E Martë, 09 Mars 2021 / OSH

Refuzohet kërkesa e Lavdim Krasniqit dhe Marigona Berishës

Gjykata e Apelit e Kosovës ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit L.K. dhe atë të arrestit shtëpiak prej 30 ditësh ndaj të pandehurës M.B.  Kështu, Apeli i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e avokatëve mbrojtës, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të 03.03.2021.

I pandehuri L.K. po dyshohet nga prokuroria shkaku i veprave penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës(KPRK); “Ushtrimi i ndikimit”  nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së dhe “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale”  nga neni 380 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 nën paragrafi 2.1 të KPRK-së. Ndërsa e pandehura  M.B. për shkak të veprës penale: “Moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”, nga neni 377 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 1, nënparagrafi  2.7 të KPRK-së.

Gjykata e Apelit vlerësoi se ka bazë ligjore për caktimin e masave të lartcekura, ndaj të të pandehurve, meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se ata kanë kryer veprat penale, për të cilat po dyshohen, e po ashtu ekzistojnë rrethana të posaçme që e bëjnë të besueshme frikën se me gjetjen e tyre në liri, mund të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale apo ta përsërisin veprën penale.