75 Mall Live Search
14:27 / E Premte, 13 Mars 2026 / KV

Refuzohet kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e të pandehurit për krime lufte

Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur nga mbrojtësi i të pandehurit R.M., kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit.

Me këto vendime, gjykatat e instancave më të ulëta i kishin vazhduar të pandehurit masën e paraburgimit për dy (2) muaj, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile.

Gjykata Supreme vlerëson se ekziston bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit, për shkak të rrezikut të ikjes së të pandehurit, duke marrë parasysh rrethanat e rastit, përfshirë faktin se i pandehuri ka ndryshuar disa adresa të banimit, ka vendbanim të përhershëm jashtë Kosovës dhe posedon dy shtetësi, gjë që mund të lehtësojë shmangien nga ndjekja penale, veçanërisht duke pasur parasysh mungesën e bashkëpunimit juridik ndërmjet Kosovës dhe vendit tjetër.

Gjykata Supreme, gjithashtu konstaton se nuk qëndrojnë pretendimet për shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që paraburgimi është caktuar me vendim të gjykatës kompetente dhe në përputhje me dispozitat ligjore, ndërsa procedura penale është ende në fazën fillestare.