75 Mall Live Search
13:39 / E Premte, 04 Qershor 2021 / B O

Regjimi i Lukashenkos “gjunjëzon” gazetarin, Protaseviç përlotet në intervistë

Gazetari i arrestuar muajin e kaluar në Bjellorusi, Roman Protaseviç, ka pranuar fajësinë për protestat e vitit të kaluar kundër presidentit Lukashenko. 26-vjeçari që u ndalua pas zbritjes me detyrim të avionit ku fluturonte, shfaqi pendim dhe tha se ka krijuar mendim ndryshe për presidentin e tij.

Bjellorusia u ndëshkua muajin e kaluar me sanksione për zbritjen e detyrueshme të një avioni civil dhe arrestimin e gazetarit opozitar, Roman Protaseviç, i cili po udhëtonte me të, ndërsa prindërit e tij kanë dyshime se 26-vjeçari po detyrohet të flasë në dëm të vetes.

Protaseviç akuzohet për përfshirje në veprimtari terroriste dhe dyshohet se ishte ndër organizatorët e protestave të vitit të kaluar kundër presidentit Aleksandër Lukashenko, kur ai mori mandatin e gjashtë në krye të shtetit.

Gazetari u shfaq për intervistë në televizionin publik bjellorus duke pranuar fajin.

“E kam kritikuar presidentin Lukashenko por kam filluar të mendoj se po bënte gjënë e duhur, e sigurisht që e respektoj. Tani duhet t’i braktisim organizimet në rrugë si atëherë sepse nuk vlejnë më.”

Protaseviç u shfaq i prekur në fund të intervistës, duke thënë se shpresonte që një ditë të martohej dhe të kishte fëmijë, ndërkohë që me akuzat që i rëndojnë rrezikon deri 15 vite burg, dhe më shumë për akuzën e terrorizmit.

I ati i 26-vjeçarit tha se sikundër në shfaqjet e tjera televizive, intervista e së enjtes ishte realizuar nën masat e presionit psikologjik.

“Askush nuk duhet t’i besojë fjalët që tha në televizion sepse janë rezultat i abuzimit dhe i torturimit të djalit. Nuk ishte krim ajo që i ndodhi, që në shekullin e 21-të, në mes të Europës, të rrëmbehet tjetri duke fluturuar. Ky është terrorizëm shtetëror. Dhe po e abuzojnë, po e torturojnë dhe po e përdorin për lojërat politike.”

Vendet perëndimore i kanë dënuar veprimet e 23 majit nga ana e qeverisë së Lukashenkos, ndërsa shumë shtete të BE-së kanë kufizuar hapësirën ajrore për linjën bjelloruse shtetërore.