Regjisori shqiptar fiton Festivalin e Filmit me metrazh të shkurtër në Greqi

Duartrokitje dhe brohorima kanë shpërthyer në sallë kur juria shpall fituesin e Çmimit të Madh ‘Dionisi i Artë’ në Festivalin e 48-të Ndërkombëtar të Filmit me Metrazh të Shkurtër në qytetin verilidnor të Greqisë, Drama.
Fitues është regjisori shqiptar Neritan Zinxhiria për filmin e tij të jashtëzakonshëm ‘Noi’.”
Filmi, xhiruar në Metsovo, rrëfen historinë e një vëllai të vogël që përballet me zgjedhjen e vështirë pas vdekjes së vëllait të madh nga kali i tij i dashur. Përmes ëndrrave dhe vizioneve, ai duhet të vendosë nëse do të hakmerret apo do të falë. Një rrëfim i fuqishëm mbi marrëdhënien e njeriut me natyrën, bukuritë e peizazheve greke dhe sfidat e adoleshencës. Është shumë e vështirë të falësh, por kjo është thelbësore. Filmi flet për humbjen, pikëllimin dhe mënyrën si mund të rindërtojmë jetën pas një tragjedie, ka thënë Zinxhiria.
“Dua të theksoj diçka. Këta janë bashkëpunëtorët e mi. Nuk do ishte realizuar ky film në se nuk ekzistonte këmbëngulja dhe besimi tek ëndrra. Dhe ndaj kërkojmë mbështetje, jo sepse jemi kapriociozë dhe duam të bëhemi regjisorë, por sepse kinemaja është ngjarja më e shenjtë artistike”, shprehet Neritan Zinxhiria, shkruan TCh.
Përveç Çmimit të Madh, filmi ‘Noi’ siguroi automatikisht një vend në listën e nominimeve për Oscar për Filmin më të Mirë me Metrazh të Shkurtër dhe fitoi një çmim prej 10,000 eurosh nga Finos Film dhe ERT.
Neritan Zinxhiria, lindur në Tiranë dhe rritur në Athinë, ka një karrierë të pasur artistike. Me filma të tjerë të njohur si ‘Kamomil’, ‘Dritë nga Drita’ dhe ‘Një Vend i Dytë’, ai ka fituar mbi 100 çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Filmat e tij janë shfaqur në më shumë se 250 festivale në mbarë botën dhe përfaqësojnë një vizion të veçantë, ku natyra shpesh bëhet protagoniste përveç aktorëve.
Me ‘Noi’, Neritan Zinxhiria na sjell një rrëfim të thellë, të ndjeshëm dhe universal, duke vendosur standarde të reja për filmin e shkurtër europian.