22:19 / E Shtunë, 25 Maj 2024 / Gj. Sh

Regjistrimi i popullsisë, Kurti: S’kemi lënë kënd pa e numëruar, ka pasur shumë skeptikë

Kryeministri Albin Kurti është deklaruar edhe njëherë pas përfundimit të procesit të regjistrimit të popullsisë. Ai tha se për 50 ditë, rreth 2600 regjistrues në 38 komuna, kanë mbledhur të dhëna esenciale për politikat, strategjitë, projektet e vendimet e shtetit për 10 vitet e ardhshme.

Tutje, Kurti deklaroi se për procesin në përgjithësi ka vlerësime me nota të larta.

“Për 50 ditë, rreth 2600 regjistrues në 38 komuna të Republikës sonë, kanë mbledhur të dhëna esenciale për politikat, strategjitë, projektet e vendimet e shtetit për 10 vitet e ardhshme. Nga aspekti profesional e teknik, procesi i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave është vlerësuar me nota të larta nga ekipet monitoruese të organizatave ndërkombëtare partnere, UNFPA dhe UNECE, ndërkohë që vlerësimet fillestare tregojnë që përqindja e pjesëmarrjes së popullsisë dhe gjithëpërfshirja, është ndër më të lartat edhe në nivel ndërkombëtar. .Shteti i Kosovës dhe qytetari i Republikës e kanë kaluar një test të rëndësishëm në organizimin dhe pjesëmarrjen në një ndër ndërmarrjet më të mëdha institucionale, që u përmbyll sot”, tha ai.