14:20 / E Enjte, 18 Mars 2021 / AR

Regjistrohen deputetët e PDK-së: Do të mbikëqyrim qeverinë dhe mbajtjen e premtimeve të saj

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës sot janë regjistruar për legjislaturën e tetë të Kuvendit, shkruan Indeksonline.

Nga PDK-ja thonë se, në rolin e saj si parti udhëheqëse e opozitës do të angazhohet për mbrojtjen e demokracisë, mbikëqyrjen e Qeverisë dhe mbajtjen e premtimeve të saj karshi qytetarëve.

Po ashtu, nga kjo parti falënderuan edhe votuesit. “Besimi juaj është besim ndaj shtetit të Kosovës“.

Postimi i plotë:

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, së bashku me një pjesë të deputetëve të zgjedhur të PDK-së, sot u regjistruan për legjislaturën e tetë të Kuvendit. PDK-ja në rolin e saj si parti udhëheqëse e opozitës do të angazhohet për mbrojtjen e demokracisë, mbikëqyrjen e Qeverisë dhe mbajtjen e premtimeve të saj karshi qytetarëve.

Faleminderit edhe një herë secilit votues të Partisë Demokratike, më 14 shkurt. Besimi juaj është besim ndaj shtetit të Kosovës, prandaj Grupi parlamentar i PDK-së do ta mbrojë me të gjitha forcat e tij edhe besimin tuaj edhe shtetin tonë.