Regjistrohet rrufeja 829 kilometra e gjatë

Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) ka vendosur një rekord të ri botëror për rrufenë më të gjatë një rrufe e jashtëzakonshme prej 829 kilometrash në një zonë të njohur për stuhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Komiteti i WMO për Ekstremet e Motit njofton se rrufeja më e gjatë në botë ndodhi në tetor 2017 gjatë një stuhie të madhe në SHBA, duke përshkuar 829 km nga lindja e Teksasit deri afër Kansas City. Do të duheshin rreth 8-9 orë me veturë ose të paktën 90 minuta me avion për ta përshkuar.
“Vetëtimat janë të mrekullueshme, por edhe të rrezikshme, duke marrë shumë jetë çdo vit. Kjo ngjarje tregon sa larg mund të përhapen rrufetë, duke rrezikuar aviacionin dhe shkaktuar zjarre”, tha Celeste Saulo, sekretare e përgjithshme e WMO.
Komiteti i WMO për Ekstremet e Motit e konfirmoi rekordin me ndihmën e teknologjive të reja satelitore. Ky rekord është 61 kilometra më i gjatë se ai i mëparshmi në SHBA më 29 prill 2020 (768 km). Gabimi i matjes është ±8 km.
Rrufja ndodhi në Rrafshinat e Mëdha të Amerikës së Veriut, një zonë e njohur për stuhitë Mesoskalare Konvektive që mundësojnë “mega-rrufe”. Ajo u zbulua përmes analizës së përsëritur me ndihmën e satelitit GOES-16.
“Ky rekord tregon fuqinë e natyrës dhe përparimin shkencor në dokumentimin e ekstremeve. Ka të ngjarë që në të ardhmen të zbulohen edhe më të mëdha”, tha Randall Cerveny nga WMO.
Arkivi i WMO ruan të dhënat për ekstremet botërore të motit, përfshirë temperaturat, erën, reshjet, breshrin, rrufetë, tornado dhe ciklonet tropikale.