Reja dhe Hysaj flasin para ndeshjes me Spanjën: Test i vështirë, kërkojmë rezultat pozitiv

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë Edy Reja dhe mbrojtësi i krahut të djathtë Elseid Hysaj kanë folur sot në një konferencë për media para ndeshjes së nesërme miqësore kundër Spanjës.
Sa i përket ndeshjes së nesërme, fillimisht pyetjeve iu përgjigj mbrojtësi i Lazios, Hysaj, ku tha që do të japin maksimumin si skuadër për të marrë rezultat pozitiv.
“Normal për ne është një ndeshje me karikim të madh sepse luajmë kundër Spanjës, një ekip shumë të madh, siç e dini të gjithë dhe shpresojmë që ta japim maksimumin dhe të marrim ndonjë rezultat të mirë për ne dhe për të ardhmen tonë”, tha Hysaj.
Po ashtu, mbrojtësi i Lazios tregoi që përballja kundër Spanjës do të jetë ndër testet më të vështira për repartin e mbrojtjes.
“Besoj që një ndër testet më të vështira sepse të gjithë e dimë se Spanja është një nga skuadrat që bënë lojë të shpejtë dhe janë më të mirë nga mbajtja e topit dhe për ne do të jetë një provë e madhe”, tha mbrojtësi i Lazios.
Ndërkaq, pas kapitenit të Shqipërisë, foli edhe trajneri Edy Reja, i cili synon vetëm rezultatin dhe një paraqitje të mirë kundër Kombëtares së Spanjës.
“Ne po përmirësohemi hap pas hapi dhe duhet të vazhdojmë në këtë rrugë. Sigurisht do të më pëlqente që në ndeshjen ndaj Spanjës unë t’i kisha të dyja komponentët, nuk mund t’i ndaj veç nga njëra-tjetra. Pra, do të doja edhe lojë të mirë nga skuadra por edhe të merrnim një rezultat pozitiv. Për ta theksuar do të më pëlqente duke pasur parasysh se kemi bërë një ndeshje të mirë dhe të mos bëjmë ato paraqitje siç kanë ndodhur me Anglinë apo me Francën. Sigurisht rezultati vlen, siç thash nuk mund ta lëmë me një anë, por më pëlqen që të bëjmë një paraqitje të mirë”, tha Reja.
Më pas, i pyetur se si do të mund ta ndalin Spanjën duke pasur parasysh se shumicën e kohës zotëron topin, Reja tregoi që duhet të jenë të fokusuar dhe të përqendruar gjatë gjithë ndeshjes.
“Duhet të jemi të fokusuar dhe të përqendruar për 90’ minuta. Kanë lojtarë shumë të shpejtë që mund të të vënë në vështirësi në çdo moment, qoftë edhe me pasime të shkurtra. Sigurisht, Spanja fundja ta mbajë edhe topin nuk do të mërzitesha për këtë, por e rëndësishme është rezultati i fundit dhe jo thjeshtë vetëm zotërimi i topit”, tha Reja.
Reja dy miqësoret e këtij muaji kundër Spanjës dhe Gjeorgjisë i cilësoi tejet të rëndësishme për ta kolauduar grupin e lojtarëve, duke treguar që kishte kërkuar vetë të ketë miqësore me skuadra të kalibrit të tillë.
Sa i përket ndeshjes së mbrëmshme mes Italisë e Maqedonisë së Veriut, ku kjo e fundit eliminoi “Azzurët” me rezultat minimal 1:0, trajneri Reja u shpreh tejet i zhgënjyer me Kombëtaren e Italisë por që kjo gjë duhet të lihet pas dhe të shohim nga e ardhmja.
Nesër me fillim nga ora 19:45, në stadiumin “Cornella de Llobregat” Kombëtarja e Shqipërisë si mysafire do ta zhvillojë ndeshjen miqësore kundër Spanjës.