75 Mall Live Search
16:58 / E Shtunë, 08 Qershor 2019 / indeksADMonline

Reja debuton me humbje, Shqipëria vazhdon me rezultate negative

Trajner i ri, avaz i vjetër! Shqipëria nuk ia del as ndaj Islandës dhe humbet me rezultatin 1-0 me një gol të Gudmundsson në minutën e 22′. Shqipëria dhuroi një tjetër paraqitje të shëmtuar me gabime në mbrojtje dhe pa dëshirë e grintë. Reja nuk ka shkopin magjik dhe e nis me humbje.

Shqipëria bëri mjaft mirë në minutat e para të ndeshjes duke bërë presing lart dhe duke qëndruar në gjysmëfushën e kundërshtarit. Hysaj në minutën e 4′ dha një shkëndijë të mirë duke gjuajtur nga larg. Goditja e shkodranit gjeti reagimin e mirë të portierit vendas.

Islanda reagoi në minutën e 22′ me anë të Gudmundsson. Ai mori një top në mesfushë dhe çan mbrojtjen e formuar nga Ismajli dhe Dermaku. Lojtari del përballë Berishës dhe e dërgon topin në rrjetë për 1-0.

Në minutat e fundit të pjesës së parë, Shqipëria duhej të fitonte një penallti në rast se gjyqtari i sfidës, Madden, do të tregohej i saktë. Rrëmujë në zonë dhe topi i krosuar gjen dorën e një prej lojtarëve të Islandës. Kapiteni e ndal me dorë dhe gjyqtari me pamje të qartë nuk e akordon si të tillë.

U mendua se pjesa e dytë do të shihte një ekip me agresiv në fushën e lojës, por nuk ndodhi ashtu. Shqipëria nuk ia doli për asnjë moment që të rrezikonte seriozisht portën e Islandës. Lojtarët kuqezi nuk u treguan të saktë dhe nuk dolën përpara portierit. Kuqezinjtë u munduan të luanin me topa të gjatë dhe krosime në zonë kur përballë kishin një ekip shtatlartë. Strategji e gabuar.

Aktivizimi i Kaçes, Ndojit dhe Sadikut nuk ndryshoi asgjë në fushën e lojës dhe përfundimisht, Shqipëria merr një humbje që dhemb 1-0 ndaj Islandës.

Shqipëria ndodhet në vendin e 4 pas 3 ndeshjeve të luajtura duke koleksionuar 2 humbje dhe 1 fitore. Një nisje shumë e dobët, duke qenë se nuk ka luajtur ende me Francën. Takimi i radhës është kundër Moldavisë, aty ku fitorja është detyrim.