Reka: Ja çfarë kanë të përbashkët Katalonia dhe Kosova
Profesori i së Drejtës Evropiane dhe ish ambasadori i Maqedonisë në Bruksel, Blerim Reka, ka komentuar referendumin e sotëm të Katalonisë për ndarje nga Spanja. Reka, në një status të tij në Facebook, ka thënë se Katalonia dhe Kosova nuk e kanë vetëm shkronjën e parë të përbashkët.
Sipas tij, këto dy vende, i bashkon e drejta për vetëvendosje.
Lexoni statusin e plotë të Rekës:
Kosova dhe Katalonia, nuk e kanë të përbashkët vetëm shkronjën e pare. I bashkon e drejta për vetëvendosje. Dhe kundërshtimi i saj policor. Por, as ndërhyrja policore- sot kundër referendumit katalonas; sikur as ajo e policisë serbe kundër referendumit kosovar më 1991; nuk mund ta ndalin një të drejtë natyrore kombëtare. Madje as në rastin e Katalonisë- pjesë e shtetit anëtar të BE: me demokraci e standard të lartë jetësor; me çka u devalvuan “këshillat“ diplomatike të shekullit të kaluar- për Kosovën- se “duhej pritur demokratizimin e Serbisë”. Identiteti i veçantë kombëtar synon sovranizimin shtetëror, andaj: Vetëvendosja nuk mund të ndalet.