14:43 / E Enjte, 25 Qershor 2020 / indeksADMonline

Rekomandohet miratimi i ilaçit të parë për trajtim të Coronavirusit

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, ka njoftuar se Agjencia Evropiane e Barnave ka marrë rekomandim për miratimin e barit të parë për ta trajtuar koronavirusin.

“Rekomandohet për miratim bari i parë për trajtimin e COVIDIT-19. Agjencia Evropiane e Barnave – EMA ka pranuar rekomandimin nga komisioni shkencor CHMP i Agjencisë për aprovim të barit të parë për trajtimin e sëmundjes COVID – 19 të shkaktuar nga coronavirusi SARS CoV 2. Ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë botën, sidomos në ditët e fundit kur po shënohen rekorde të rasteve të reja të të infektuarve në tërë globin”, shkruan në Facebook Jakupi.

Jakupi thotë se me këtë rast secili shtet duhet që të fillojë të bëjë planet konkrete për furnizimin me produktin e sapommiratuar dhe të vendosë parametrat e saktë për indikacionet dhe trajtimet për pacientët.

“Shpresojmë që ky të jetë vetëm fillimi dhe që shpejt të kemi edhe barna të tjera të miratuar si edhe vaksinën në mënyrë që si te ne në Kosovë, por edhe në tërë globin të ulët tërë ky presion i ngufatjes së kapaciteteve shëndetësore shtetërore, sfidimit të profesionistëve shëndetësorë, uljes se rasteve me fatalitet, por edhe kthimit të përgjithshëm në normalitet”, shkroi Jakupi.