75 Mall Live Search
10:46 / E Hënë, 06 Nëntor 2023 / S Z

Rekord i mamografive në Prishtinë, për një muaj u realizuan 887 mamografi

Fushata kundër kancerit të gjirit në muajin tetor, ka rezultuar me një numër të madh të grave, të cilat kanë bërë mamografinë.

Drejtori për shëndetësi në Komunën e  Prishtinës Izet Sadiku,  ka thënë për “Indeksonline”, se vetëm gjatë muajit tetor janë realizuar 887 mamografi, që është numri më i lartë i mamografive,  të cilat janë realizuar që nga paslufta në një qytet.

“Fushata që e kemi bërë këtë vit për vetëdijësim të kancerit të gjirit,ka ndikuar shumë në rritjen e numrit të mamografive të realizuara në kryeqytet. Dhe realisht në tetor kemi pasur një numër rekord të mamografike. Besoj që është numri më i madh i mamografive të realizuara në Kosovën e  pasluftës në një qytet. I kemi 887 mamografi të realizuara për një muaj. Po e bëjë një krahasim me muajin gusht, ku ishin realizuar gjithsej 80 mamografi, që i bie rritje mbi 1 mijë për qind, duke iu falënderuar fushatës”, tha ai.

Sadiku thotë se qëllimi i tyre është që një fushatë e tillë vetëdijësuese, të  realizohet gjatë gjithë vitit.

“Kjo që po e bëjmë sot ka me ndiku, që fushatën në vitin e ardhshëm ta bëjmë gjatë gjithë vitit. Qëllimi është  që fushata të filloi nga janari deri në dhjetor. Nuk do ta lemë fushatën vetëm në tetor. Këta numra 887 po luftojmë që në Prishtinë me qenë standard . Sot është rritur numri i grave me kancer  diku 10 deri 15 për qind.  Por kemi dhe rritje fatbardhësisht dhe  të mbijetuarave nga kanceri i gjirit. Ne po luftojmë që të rritet numri i grave që bëjnë mamografi”, ka thënë ai.