10:18 / E Hënë, 04 Shtator 2023 / mp

Rekord i “zi”, deficiti tregtarë për gjashtë muaj arrin në 2.1 miliardë euro

Bilanci tregtar në mallra në kuadër të BP, deri në qershor 2023, kishte deficit në vlerë prej 2.1 miliardë euro, që është deficit më i madh tregtar krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, thuhet në raportin e bilancit të pagesave të publikauar nga Banka Qendore e Kosovës (BQK).

Bilanci i pagesave deri në fund të qershorit 2023 u karakterizua nga një deficit i llogarisë rrjedhëse i cili shënoi një vlerë prej 502.7 milionë euro e që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar është më i ulët  për 19% (623.7 milionë euro ishte deficiti deri në qershor 2022).

“Shërbimet  deri  në qershor 2023 kanë shënuar bilanc pozitiv në vlerë 53.2 milionë euro, që paraqet rritje prej 36% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022 (407.8 milionë euro). Kategoria kryesore e shërbimeve janë shërbimet e udhëtimi”, thuhet në raport.

Vetëm gjatë  muajit qershor në Kosovë shërbimet e udhëtimit kanë arritur vlerën 141.3 milionë euro, vitin e kaluar në këtë periudhë kanë qenë 132.3 (7 % më të ulëta se këtë vit). Rreth 90% e shpenzimeve të udhëtimit në Kosovë, përkatësisht 126.6 milionë  euro janë shpenzimet e diasporës. Krahasuar me periudhën e njëj të vitin e kaluar, diaspora këtë vit ka shpenzuar rreth 15% më shumë.

“Shpenzimet e udhëtimit të kosovarëve jashtë, gjatë muajit qershor kanë  arritur vlerën 58.9 milion euro që paraqet rritje prej 18% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022, prej të cilave rreth 46% janë shpenzimet në Shqipëri.

Të ardhurat parësore deri në qershor 2023 shënuan bilanc pozitiv prej 45.9 milionë euro, i cili krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar, është më i ulët për rreth 48% (88.1 milionë euro ishte deri në qershor2022)”, thuhet në raport.

Llogaria e të ardhurave dytësore në të cilën përfshihen Transferet rrjedhëse te sektorit qeveritarë dhe Transferet rrjedhëse të sektorëve tjerë (dërgesat e emigrantëve (remitancat) dhe transferet ku përfshihen donacionet, pensionet, etj.) mbetet kontribuesi kryesor në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse. Deri në qershor 2023 kjo llogari shënoi rritje për 12% krahasuar me periudhën e njëjtë të 2022, dhe arriti vlerën 949.1 milion euro (849.6 milionë euro ishte bilanci pozitiv deri në qershor 2022).

Remitancat janë kategoria kryesore në kuadër të të ardhurave dytësore, vlera e të cilave deri në qershor 2023 shënoi 635.1 milionë euro, që paraqet rritje prej 14% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar (555.4 milionë euro ishte deri në qershor 2022).

Asetet në llogarinë financiare deri në qershor 2023 ishin  274.8 milionë euro, ndërsa detyrimet financiare shënuan vlerën prej  517.3 milionë euro, për të njëjtën periudhë.

Bilanci i investimeve direkte në Kosovë deri në qershor 2023 shënoi rezultat prej 271.9 milionë euro, që tregon se vlera e ID në Kosovë (374.2 milion euro)  është më lartë se ID të investuara nga kosovarët jashtë (101.9 milion euro). Investimet direkte arriten vlerën 374.2 milion euro e që paraqet rritje prej 14% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar (327.3 milionë euro deri në qershor 2022).

Bilanci i investimeve në letra me vlerë, pa përfshirë letrat me vlerë në kuadër të aseteve rezervë, deri në qershor 2023 janë rritur për 86.7 milionë euro.

“Investimet tjera (investimet në depozita, kredi dhe në kredi tregtare) deri në qershor 2023 kanë shënuar vlerë negative  (135.9) milionë euro dhe cila i atribuohet kryesisht rritjes së borxhit të jashtëm në Kosovë.

(vlerë prej 285.4 milionë euro deri në qershor 2022)”, thuhet në raport.

Asetet rezervë deri në qershor 2023 janë rritur për 78.6 milionë euro, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak rritja ishte për 171.8 milionë euro./Indeksonline/