75 Mall Live Search
14:12 / E Mërkurë, 13 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Rekordi i madh i Buffon që e arriti mbrëmë në Champions League

Portieri italian, Gigi Buffon ka hyrë në mesin e legjendave të futbollit evropian.

Në fitoren 2-0 të PSG ndaj Manchester United, italiani regjistroi 50 ndeshje pa pësuar gol në garën elitare të klubeve evropiane.

Në “Old Trafford”, Buffon nuk pati ndonjë kërcënim serioz nga sulmuesit e Manchester Unitedit, edhe për shkak të paraqitjes mbresëlënëse të dyshes së mbrojtjes Presnel Kimpembe-Thiago Silva, për të mos përmendur Marquinhos, i cili bëri edhe mesfushorin.

Buffon renditet i treti në listën e portierëve që e kanë mbajtur më shumë portën e tyre të paprekur në Ligën e Kampionëve pas Iker Casillas (59 ndeshje) dhe Edwin van der Sar (51 ndeshje).

Duke folur për këtë arritje personale, ish-portieri i Juventusit theksoi: “Falënderoj shokët e mi, të cilët luajtën jashtëzakonisht mirë. Ne mund të shkojmë larg. Nëse e kalojmë këtë raund, mund të përmbyllim një sezon të shkëlqyer në Ligën e Kampionëve”.