Rektorët të ndjekin rrugë ligjore për kundër vendimeve të KShC-së
Rektorët e universiteteve publike në Kosovë kanë paralajmëruar grevë dhe protesta nëse nuk shkarkohet Këshilli shtetëror i cilësisë (Agjencisë së Kosovës për Akreditim).
Kjo pasi që po i konsiderojnë si të padrejta vendimet që këshilli ka marrë për programet studimore, ku sipas rektorëve bordi i AKA-së në mënyrë të jashtëligjshme ua tërhoqi akreditimet programeve të cilat kishin një të tillë edhe për një kohë.
Por, Drejtori i Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC), Dukagjin Pupovci për Indeksonline ka thënë se kërkesa e rektorëve paraqet presion të drejtpërdrejt mbi këtë agjencion, i cili duhet të jetë i pavarur. Kurse, si të pakuptimtë e ka konsideron këtë presion edhe për faktin që pesë anëtar të këtij Bordi janë punonjës të universiteteve publike.

“Një ndër kriteret themelore të sigurimit të cilësisë në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë është pavarësia e organit akreditues. Të mos harrojmë se pikërisht për shkak të cenimit të pavarësisë nga ana e Qeverisë së Kosovës, Agjencia e Akreditimit është përjashtuar nga EQAR dhe statusi i saj në ENQA është degraduar. Mendoj se kërkesa e rektorëve paraqet një presion të drejtpërdrejtë ndaj Agjencisë, aq më parë kur dihet se 5 nga 9 anëtarët e Bordit të saj janë punonjës të universiteteve publike që kërkojnë shkarkimin e tyre. Si do të mund të qëndrojnë ata njerëz të pavarur në kushte të një presioni të tillë? A duhet tani ata të dorëhiqen vet nga Bordi në mënyrë që t’i ruajnë vendet e tyre të punës në universitete apo duhet të heqin dorë nga respektimi i kritereve minimale të cilësisë?” është shprehur Pupovci.
Pupovci është shprehur se legjitimiteti i KShC-së nuk und të kontestohet, pasi që është zgjedhur me votë unanime dhe në bazë të konkursit.
“Kjo përbërje e Këshillit Shtetëror të Cilësisë është zgjedhur nga Kuvendi, me votë unanime dhe në bazë të konkursit publik. Prandaj, legjitimiteti i anëtarëve të KShC nuk mund të kontestohet. Ata ndodhen para një detyre të vështirë – që ta rikthejnë besimin e humbur në pavarësinë e Agjencisë”.
Njohësi i çështjeve të arsimit ka thënë se ky institucion po i kryen punët e veta në përputhje me Ligjin dhe situatën e krijuar.
“Mendoj se po bëjnë përpjekje që detyrat e veta t’i kryejnë në përputhje me Ligjin dhe situatën e krijuar. Megjithatë, Agjencia tani ndodhet në procesin e ri-vlerësimit nga ENQA, prandaj së shpejti do ta kemi një raport vlerësimi nga institucioni më kredibil për sigurimin e cilësisë në Evropë” është shprehur Pupovci.
Ky i fundit, ka konsideruar se institucionet e arsimit të lartë kanë mundësi të ndjekin rrugën ligjore, duke iu drejtuar fillimisht komisionit të veçantë të ankesave dhe më pas gjykatave.
“Këtë nuk mund ta di, sepse nuk është publikuar asnjë raport për refuzimin ose heqjen e akreditimit. Sa kam kuptuar unë, këto raporte i janë dërguar institucioneve të arsimit të lartë. Të gjitha institucionet e arsimit të lartë kanë mundësi ta ndjekin rrugën ligjore, duke ju drejtuar komisionit të veçantë të ankesave që është themeluar së voni, pastaj edhe gjykatës”
Kërkesa për shtimin e stafit akademik po konsiderohet si e arsyeshme nga Pupovci, pasi që një kusht i tillë konsiderohet si jetik.
“Megjithatë, nga lajmet që kanë dal në media kuptohet se problemi kryesor është kualifikimi i stafit akademik, pra Agjencia kërkon që programet studimore të kenë staf akademik të kualifikuar. Kjo është kërkesë e arsyeshme dhe të gjitha institucionet e arsimit të lartë duhet të punojnë drejt përmbushjes së saj. Nëse staf të tillë nuk ka në Kosovë, duhet të sillen njerëz nga Shqipëria ose Maqedonia” ka përfunduar Pupovci.
Ndërkaq rektorët e universiteteve publike në Kosovë kanë shprehur dyshime edhe në lidhje me qëllimet e këtyre vendimeve të marra nga KShC-ja. Sipas tyre, qëllimi i Këshillit të Shtetëror të Cilësisë është që mbyllen universitetet publike të themeluara pas luftës.
Rikujtojmë që për këtë çështje ka reaguar dhe edhe Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett. Ai ka thënë se në sektorin e arsimit në Kosovë nuk duhet të ketë vend politika, duke mbështetur qëndrimin e përfaqësueses së BE-së, Natyalya Apostolova, se Agjencia Kosovare e Akreditimit duhet të jetë e pavarur në mënyrë që të sigurohet arsim cilësor në Kosovës./Indeksonline/