Rektori Dema ngushëllon familjen Berisha
Në moshën 77 vjeçare, ka vdekur sot Prof. Dr. Mandushe Berisha, gruaja e parë shqiptare që kishte fituar titullin “doktore e shkencave”.
Ngushëllime për vdekjen e saj ka shprehur rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema.
“Me pikëllim e pranuam sot lajmin që profesoresha Mandushe Berisha nuk është më në mesin tonë. Kontributi i saj rreth katër-dekadësh në Universitetin e Prishtinës ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e institucionit tonë, duke qenë njëherësh edhe njëra ndër gratë e para që shërbeu si mësimdhënëse në UP. Më lejoni që në emër të organeve drejtuese dhe menaxhuese, studentëve, stafit akademik dhe administrativ të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, t’jua përcjellë ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e më të dashurës suaj, profesoreshës Mandushe. “, thuhej ndët të tjera në telegramin ngushëllues drejtuar familjes Berisha, përcjellë Indeksonline.
Profesoresha Mandushe Berisha ishte mbi 40 vjet mësimdhënëse e fakultetit të shkencave matematike-natyrore, e lëndëve të kimisë. Ishte ndër mësimdhënëset e para universitare në Kosovë.
Prof.dr. Mandushe, ishte Profesore ordinare në Universitetin e Prishtinës, FSHMN katedra e Kimisë, ku punoi mbi 40 vite. Doktoroi në Universitetin e Zagrebit.
Ajo ishte autore e shumë librave nga fusha e Kimisë, për klasat fillore, te mesme dhe atë universitare si dhe botoi me dhjetëra punime shkencore brenda dhe jashtë vendit.
Varrimi i të ndjerës do të bëhet tè shtunën në varrezat e Prishtinës në ora 17:00 ndërsa mbledhja komemorative te hënën në ora 11:00 në sallën solemne të Fakultetit Filologjik.
