09:40 / E Enjte, 11 Prill 2019 / indeksADMonline

Remitancat, Shqipëria e 49-ta në botë

Shqipëria është vendi i 10-të në Evropë sa i përket peshës që zënë remitancat në ekonomi.

Remitancat janë sa 9.6% e PBB në Shqipëri, thonë projeksionet më të fundit të Bankës Botërore për flukset e remitancave dhe migracionit në nivel global.

Edhe sa i përket kostos së transferimit të parave nëpërmjet shërbimeve që e ofrojnë diçka të tillë, Shqipëria rezulton në listën e 5 më të shtrenjtave, të paktën për një itinerar; atë të dërgimit të parave nga Zvicra.

Me rreth 1.45 miliardë dollarë remitanca në 2018-ën, dhe me një peshë në 9.6% në Prodhimin e Brendshëm Bruto, Shqipëria renditet e 49-ta në botë në indikatorin e fundit. Sa i përket dërgesave ndërkohë, renditja përkeqësohet ndjeshëm, me Shqipërinë që zë vendin e 127-të në botë. Dërgesat fiksohen në 0.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose vetëm 106 milionë dollarë në 2017-ës.

Sic raporton Scan, gjatë viteve të fundit vihet re një rënie e ndjeshme e flukseve dalëse të parave nga shqiptarët.

Që prej vitit 2008, kur fiksoheshin në 280 milionë dollarë, rënia është thuajse progresive, dhe në harkun e 10 viteve fiksohet në 164%.