Rëndohet dosja e Diddyt, paraqiten edhe 120 viktima të tjera

120 viktima të tjera janë paraqitur me akuza për sjellje të pahijshme seksuale kundër reperit Sean “Diddy” Combs.
Avokati nga Houston, Tony Buzbee, tha se priste që paditë civile të ngriheshin brenda muajit të ardhshëm.
Buzbee i përshkroi viktimat e supozuara si 60 meshkuj dhe 60 femra.
Njëzet e pesë ishin të mitur në kohën e krimeve të supozuara, me viktimën më të re të supozuar një djalë nëntë vjeçar, i cili pretendon se ishte abuzuar seksualisht gjatë një audicioni në “Bad Boy Records”, transmeton IndeksOnline.
Në disa raste, viktimat do të pretendojnë se ishin droguar me qetësues dhe se shumë nga incidentet ndodhën në festat famëkeqe të Combs.
“Unë pres që në këtë proces shumë njerëz të fuqishëm do të ekspozohen”, tha Buzbee, duke vënë në dukje se individë të tjerë do të përmendeshin si të pandehur kur të ngriheshin paditë.
Combs ka deklaruar veten si të pafajshëm për konspiracion dhe trafikim seksual.