13:41 / E Hënë, 12 Qershor 2023 / AR

Reperit Noizy nuk iu dogjën tre lokale brenda një ditë

Portalet kanë publikuar së fundmi një artikull ku aludojnë se reperit Noizy i janë djegur brenda të njëjtës ditë tre biznese dhe nënës së tij i është shkrumbuar makina. Verifikimet provojnë se ngjarjet janë të shtrira në kohë të ndryshme ndryshe nga sa njoftohet për të tërhequr klikime.

Zjarri i rënë në lokalin në Durrës në pronësi të reperit Rigels Rajku, i njohur me emrin artistik Noizy, në të gdhirë të 11 qershorit, ka ngjallur interes nga lexuesit në portale. Pothuajse të gjitha mediat online ngjarja është pasqyruar bazuar në ato pak të dhëna që mund të ofronte komunikata e policisë për ngjarjen. Por të nesërmen, duke dashur të vijojnë më tej lajmet, disa portale kanë njoftuar se reperit iu dogjën gjithashtu dy biznese të tjera si dhe iu vu flaka automjetit të nënës së tij, duke mos e specifikuar kohën kur kanë ndodhur këto ngjarje. 

Për sa i përket këtij të fundit, Policia e Shtetit njoftonte më 11 qershor: “Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në lagjen nr. 1, ka rënë zjarr në lokalin në pronësi të shtetasit B. R. Si pasojë e zjarrit ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për sqarimin e rrethanave të këtij rasti, si dhe për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit”.

Referuar të dhënave nga policia, lokali ishte në pronësi të babait të reperit, por nuk jepet asnjë detaj mbi shkaqet e ngjarjes. Ndërsa, në media u raportua se shkak i zjarrit ishte bërë një shkëndijë elektrike në kuzhinën e restorantit.

Mirëpo, në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit nuk ka asnjë njoftim tjetër për sa i përket djegies së makinës së nënës së reperit apo edhe të dy biznesve të tjera në pronësi të familjes së tij.

“Faktoje” kontaktoi zyrën e shtypit të Policisë së Shtetit, të cilët bënë të ditur se: “Çdo njoftim për datën 11 qershor e kemi dhënë në media”. Vetë këngëtari, Rigels Rajku, nuk i është përgjigjur ende interesimit tonë.