75 Mall Live Search
18:43 / E Shtunë, 05 Prill 2025 / MSH

Republika e Kosovës i bashkohet procesit “Pall Mall”

Republika e Kosovës i është bashkuar procesit “Pall Mall”, duke u bërë shtet mbështetës i Kodit të Praktikave për Shtetet, në kuadër të këtij procesi.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti deklaroi se me mbështetjen e këtij kodi, Kosova i bashkohet një koalicioni në rritje të vendeve demokratike, që punojnë për të siguruar që mjetet kibernetike të përdoren në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe standardet për të drejtat e njeriut.

“Procesi Pall Mall është një iniciativë e përbashkët e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe Qeverisë së Francës, e lansuar në shkurt të vitit të kaluar, që bën bashkë vendet demokratike të përkushtuara për të adresuar përhapjen dhe përdorimin e papërgjegjshëm të kapaciteteve komerciale për ndërhyrje kibernetike. Keqpërdorimi i këtyre teknologjive paraqet rrezik serioz për të drejtat e njeriut, sigurinë kombëtare dhe stabilitetin ndërkombëtar. Kodi i Praktikave për Shtetet u lansua zyrtarisht në Takimin e Dytë të Procesit Pall Mall, i mbajtur në Paris më 3–4 prill 2025. Ky Kod përcakton parime udhëzuese për rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe mbikëqyrjes, duke promovuar sjellje të përgjegjshme të shteteve në hapësirën kibernetike”, shkroi Kurti.