11:33 / E Premte, 09 Prill 2021 / OSH

Republika e Kosovës pjesë e Indeksit Global të Konkurrueshmërisë

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK)në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) arritën një sukses të përbashkët, duke inkuadruar Republikën e Kosovës në raportin kredibil botëror të Forumit Ekonomik Botëror – “Indeksi Global i Konkurrueshmërisë”, në të cilën pasqyrohet gjendja reale e ambientit të të bërit biznes.

Si partner institucional i Forumit Ekonomik Botëror OEMVP, inicoi procedurën e përfshirjes së Republikës së Kosovës në këtë raport të Indeksit Global të Konkurrueshmërisë. Oda e Afarizmit të Kosovës, si partner strategjik i OEMVP-së, për Republikën e Kosovës do të realizojë anketën me drejtorët ekzektiv të kompanive, si pjesë përbërese e raportit. OEMVP, fillimisht do të jetë ndërmjetësues mes OAK-së dhe Forumit Ekonomik Botëror në realizimin e anketave dhe aktiviteteve të nevojshme për këtë raport.

Bashkëpunimi i ndërsjellë mes OAK-së dhe OEMVP-së, në rastin konkret, dëshmoi që me profesionalizëm dhe angazhim maksimal mund të arrihet një sukses i madh si ky. Përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të komunitetit afarist shfaqet si një nga aspektet kyçe të sistemit ekoafarist, ndërsa krijimi i ambientit të të bërit biznes si parakusht i zhvillimit ekonomik të vendit. Raporti në fjalë paraqet një udhërrëfyes për definimin e politikave ekonomike zhvillimore për të dy shtetet tona. Në këtë mënyrë Odat që ne përfaqësojmë japin një kontribut të jashtëzakonshëm për sjelljen e këtij raporti që mund të paraqet bazat e definimit të politikave makro-ekonomike dhe legjislacionit të nevojshëm për bizneset.  

Forumi Ekonomik Botëror i cili përgatit raportin e Indeksit Global të Konkurrueshmërisë, siguron të dhëna relevante dhe bën vlerësimin e konkurrueshmërisë, produktivitetit si dhe prosperitetit të shteteve. Ai është i ndarë në 12 shtylla dhe deri më sot ka numëruar 141 shtete pjesëmarrëse.