15:02 / E Shtunë, 25 Nëntor 2023 / Gj. Sh

Republika e Kosovës pjesë e XENIA Metropolitan EXPO në Athinë

Sot ka filluar zyrtarisht panairi XENIA Metropolitan EXPO në Athinë.

Pjesë e këtij panairi, që do të zgjasë deri më 27 nëntor, janë edhe afër 50 biznese anëtare të OHTK-së.

OHTK me shumë kënaqesi ka pranuar ftesën nga Kompania FORUM S.A, që të marrë pjesë në këtë ngjarje shumë të rëndësishme për hotelerinë.

XENIA është panair i cili i është dedikuar ekskluzivisht sektorit të hotelerisë, duke u bërë kështu forumi kryesor tregtar për industrinë e turizmit në Greqi.

XENIA është mundësi e artë për profesionistët e sektorit të hotelerisë që të krijojnë kontakte me kompanitë lidere të cilat ofrojnë pajisje hoteliere, zgjedhje teknologjike dhe shërbime online.

Përmes pjesëmarrjes në takimet B2B përfaqësuesit e bizneseve nga e gjithë bota e në mesin, e tyre edhe anëtarët e OHTK-së kanë mundësi të takohen dhe të krijojnë kontakte me kompani të cilat janë të specializuara në ndërtim, rinovim dhe kursim të energjisë.

Delegacioni i OHTK-së pati nderin dhe kënaqësinë që gjatë këtij panairi të takohet edhe me udhëheqësin e Zyrës së Interesave të Kosovës në Greqi z.Fitim Gllareva.

Anëtarët e OHTK-së në XENIA janë duke përfaqësuar në mënyrë dinjitoze Republikën e Kosovës.

Kujtojmë se në Forumin XENIA më shumë se 500 kompani ekspozojnë punën dhe produktet e tyre.